Plani kundër kredive të këqija. FMN: Ulja e tyre është kritike për të mos cënuar rimëkëmbjen e ekonomisë

17/03/2015 00:00

Qeveria dhe Banka e Shqipërisë janë duke hartuar një plan të posaçëm, përmes të cilit synojnë të zgjidhin përfundimisht ngërçin e kredive të këqija.

Shkëlqim Cani, ministër i Financave, u shpreh: “Kemi një marrëveshje lidhur me mënyrën sesi në të ardhmen do të prekim kreditë me probleme.”

Ndërsa, Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, tha: “Ka një angazhim shumë serioz të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë. Kemi vendosur që t’i adresojmë përfundimisht problemet e kredive të këqija. Të ndihmojmë bankat dhe rritjen e ekonomisë.” 

Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të lartë të kredive të këqija në Europë me rreth 22.8% të totalit. Shefi i misionit të FMN-së, Nadeem Ilahi, tha se ulja e tyre është kritike për të mos cënuar rimëkëmbjen e ekonomisë: “Kredia për ekonominë po rritet, por me ritme të ngadalta. Ekziston problemi i kredive të këqija i cili frenon bankat dhe i bën ato ngurruese të kreditojnë sektorin privat. Prandaj ne e mbështesim këtë plan të koordinuar mes qeverisë dhe Bankës për të zgjidhur këtë problem tashmë të vjetër dhe mendojmë se kjo do të përmirësojë ambientin e kreditimit në ekonomi.”   

Fondi e la të pandryshuar vlerësimin për rritjen ekonomike të këtij viti në 3%, edhe pse pranoi se rreziqet për këtë skenar janë rritur: “Ne e shohim nivelin 3% të rritjes si të arritshëm. Sigurisht që kemi analizuar efektin e përmbytjeve dhe ngadalësimin në sektorin e naftës që bëjnë presion mbi rritjen. Por, në thelb, çmimet e ulëta të naftës, rimëkëmbja e kërkesës dhe besimit në sektorin privat, rritja e kredisë dhe normat e ulëta të interesit, të gjitha sinjalizojnë se rritja ekonomike do të jetë sipas parashikimit.”

Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, tha: “Motori kryesor i garantimit të kësaj rritjeje do të jetë thellimi i reformave strukturore. Përtej kënaqësisë që këto reforma po japin frytet e veta, është momenti të besojmë dhe të mendojmë për vazhdimësinë e tempit dhe për thellimin e reformave strukturore.”

Shefi i misionit mbështeti edhe planet e qeverisë për ta orientuar huamarrjen në tregjet e huaja dhe drejt afateve më të gjata të borxhit.   

Top Channel