Në kërkim të varrit të Servantesit…

17/03/2015 00:00

Pretendimet e tyre duhen vërtetuar, por ndërkohë lajmi ka marrë dhenë, si brenda kufijve të Spanjës, ashtu edhe jashtë saj.

Gati 400 vjet pas vdekjes së tij, një grup shkencëtarësh këmbëngul se ka gjetur vendin e prehjes së gjigantit të letërsise spanjolle, Miguel de Cervantes (Servantes). Ekspertët besojnë se në varrin e zbuluar në një manastir të Madridit, përpos eshtrave të shkrimtarit të adhuruar nga vendasit janë edhe ato të së shoqes, e të tjerë trupa që janë vendosur në të njëjtin vend.

Ndarja dhe identifikimi i kockave të dëmtuara keqas, nga fragmentet e shumta të pranishme në varr, nuk ka për të qenë një proces i lehtë. Por ekipi i 30 kërkuesve është duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme ndihmëse, përfshirë kamerat me rreze infra të kuqe, skanerat 3D dhe radarët, që depërtojnë nën dhè.

“Eshtrat janë në gjendje mjaft të keqe dhe nuk na lejojnë të bëjmë një identifikim individual të Migel Servantesit. Por jemi të sigurt, edhe nga burimet historike, se ai që kemi gjetur është vendi, ku janë varrosur Servantesi dhe disa persona të tjerë”, tha Almudena Garcia Rubio, arkeologe.

Autori i “Don Kishotit” u varros në 1616-n, por kur manastiri u rindërtua rreth 60 vjet më vonë eshtrat u zhvendosën në një ndërtesë të re dhe u deshën qindra vjet, që të rizbulohej vendi ku prehet i ashtuquajturi “Princi i letrave” të Spanjës.

“Fundi i tij ishte ai i një njeriu të vobektë. Vdiq në varfëri të plotë; një veteran lufte me plagët e veta të betejave”, tha Pedro Corral, këshilltar bashkiak i Madridit.

Në kapakun e arkivolit janë gjetur inicialet M.C., megjithatë për ndarjen e eshtrave dhe për të dëshmuar qartë se kujt i përkasin ato do të bëhen edhe analizat e ADN-së. “Don Kishoti i Mançes” është një prej librave më të lexuar e më të përkthyer në mbarë botën.

Top Channel