Njohja e kontributeve për pension, përfitojnë 300 mijë persona në Shqipëri e Maqedoni

17/03/2015 00:00

Mbi 300 mijë qytetarë të Shqipërisë dhe Maqedonisë do të përfitojnë nga “Marrëveshja për mbrojtjen shoqërore”, që u firmos të martën në Shkup nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe kolegu i tij maqedonas, Dime Spasov.

Me këtë marrëveshje, autoritetet e Tiranës dhe Shkupit marrin përsipër të njohin kontributet e sigurimeve shoqërore për efekt të përfitimit të pensionit, për të gjithë shtetasit shqiptarë që punojnë në Maqedoni dhe anasjelltas. Po ashtu, dy vendet do të njohin në mënyrë reciproke edhe sigurimin shëndetësor të qytetarëve.

“Kemi një komunitet shumë të madh shqiptarësh që jetojnë në Maqedoni, që shkëmben me Shqipërinë, punon në Shqipëri, ose përdor shërbimet shëndetësore të Shqipërisë dhe anasjelltas, komuniteti maqedonas në Shqipëri, i cili shkëmben në Maqedoni, ka punuar dhe ka nevoja shëndetësore në Maqedoni. Kjo marrëveshje siguron që askujt të mos i  mungojë asnjë ditë pune, këtej dhe andej kufirit, për t’i siguruar një pension më të mirë, ose sot një shëndet më të mirë, duke aksesuar sistemin shëndetësor”, tha Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Marrëveshja po ashtu garanton personat, që lëvizin nga një vend në tjetrin, të ruajnë të drejtat e fituara. Me këtë dokument, shtetasit e dy vendeve do të kenë mundësi për bashkimin e periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare, për të siguruar të drejtën e pensionit.

Ministri Veliaj bëri të ditur se, pas Maqedonisë, një marrëveshje të ngjashme Shqipëria pritet ta firmosë brenda vitit edhe me Kanadanë, Austrinë dhe Gjermaninë, ndërsa javën tjetër do të fillojnë bisedimet edhe me Italinë.

Top Channel