Gjykata Speciale, ndërkombëtarët nisin mbledhjen e dëshmive. Haliti: Janë të pavarur

17/03/2015 00:00

Hetuesit ndërkombëtarë të ekipit përgatitor të Gjykatës Speciale kanë mbërritur nga Brukseli në Prishtinë.

Top Channel ka mësuar se hetuesit tashmë kanë nisur të takojnë dhe të marrin në pyetje zyrtarë institucionesh, por edhe të mbledhin dëshmi dhe dokumentacion të nevojshëm nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë.

E gjithë kjo bëhet në shërbim të dhomave të specializuara, që do të themelohen sapo Kuvendi i Kosovës të miratojë ndryshimet kushtetuese. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti tha se nuk kanë informacione zyrtare për këtë, por sipas tij hetuesit nuk janë të detyruar dhe nuk u japin llogari institucioneve kosovare për hetimet që kryejnë.

“Nuk di, nuk kam ndonjë informacion. Prokurori special Ëilliamson ka ardhur dhe është takuar me ministrin e Drejtësisë e me ministrat e tjerë që kanë qenë prezentë. Por ata nuk janë të detyruar, që të na japin llogari neve se kë marrin në pyetje, qoftë ky dëshmitar, qoftë i pandehur i mundshëm. Është liri, kompetencë dhe përgjegjësi e tyre që të bisedojnë”, tha Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Duke folur për vendndodhjen e Gjykatës Speciale, Haliti tha se me miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe statutit të gjykatës, Brukseli zyrtar do të jetë përgjegjës për të bërë marrëveshje me Holandën, që gjykata të jetë e vendosur atje.

Ndërkohë, ambasadori holandez në Kosovë ka deklaruar të martën se, edhe Kosova ka nevojë për Gjykatën Speciale, ndaj sipas tij është më mirë që Gjykata të miratohet në Prishtinë, sesa në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Natyrisht që ju duhet Gjykata Speciale, sepse pak a shumë është vendosur që duhet ta keni atë. Nëse do ta refuzonit do të ishte shumë keq për vendin tuaj, duke marrë parasysh se gjykata do të themelohej nga OKB-ja pastaj. Por të paktën, tani do të keni një gjykatë, e cila s’do të jetë e OKB-së. Vendet që nuk janë mike me vendin tuaj kanë shumë ndikim, prandaj ka ardhur kjo ide për ta themeluar gjykatën, mbase jo ‘de facto’, por ligjërisht nën EULEX-in”, tha Robert Bosch, ambasador i Holandës në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës është në pritje të amendamenteve kushtetuese, që aktualisht ndodhen në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Sapo kjo e fundit të japë vlerësimin kushtetues, Kuvendi pritet që me dy të tretat e deputetëve të vendosë për formimin e Gjykatës Speciale, ndërsa arrestimet e para priten në muajin maj.

Top Channel