Doshi: Hetimi me dy standarde. Meta ka marrë peng mazhorancën

17/03/2015 00:00

Pak orë pas daljes nga dera e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku dha dëshminë e radhës për llogari të hetimeve që po kryhen në fshehtësi ekstreme, deputeti Tom Doshi publikoi në rrjetin social Facebook një kërkesë drejtuar grupit të prokurorëve që po hetojnë akuzat e ngritura prej tij.

Doshi i drejtohet prokurorit Adnan Xholi, të cilit i kërkon të administrohen zyrtarisht si prova pamjet filmike, sipas tij, të udhëtimit të Spartak Brahos dhe Nard Kokës drejt Hanoverit në Gjermani, ku janë takuar me Fatjon Skënderin.

“Jam informuar nga burime të sigurta se z. Spartak Braho, Kryetar i Komisionit të Sigurisë së Kuvendit dhe shtetasi Nard Koka kanë udhëtuar në datën 6 Mars për në Hanover të Gjermanisë, për të takuar Fatjon Skenderin, sekserin e krimit ndaj dy deputetëve të Kuvendit, me qëllime të qarta për të fshehur të vërtetën dhe shtrembëruar drejtësinë. Këta persona janë pritur në aeroportin e Hanoverit, mes orës 4 dhe 5 pasdite, nga vëllai (Landi) i Fatjon Skënderit, kanë hipur në makinë së bashku dhe janë larguar për në takim me Fatjon Skënderin”, shkruan Doshi.

“Kërkoj të administrohen zyrtarisht si prova për hetimin filmimet e aeroportit të Hanoverit, të cilat mund të merren zyrtarisht prej autoriteteve të shtetit gjerman. Këto filmime do të provojnë dhe njëherë përpjekjet e njerëzve të Ilir Metës për fshehjen dhe manipulimin e të vërtetës. Kam bindjen e plotë se segmentet e shtetit janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen për të fshehur të vërtetën dhe shtrembëruar drejtësinë. Nuk janë pa vlerë dhe provat e bëra publike se, Fatjon Skënderi ka hyrë dy herë në kufirin shqiptar në pikën kufitare të Kakavijës në kohën kur ishte i kërkuar nga policia për akuza kriminale të rënda”, shkruan më tej deputeti.

Në fund, Doshi mbyll thirrjen drejtuar prokurorëve me përsëritjen e kërkesës së tij për pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtarë në këto hetime.

Në një postim tjetër në Facebook, deputeti Tom Doshi ka theksuar se është “çmenduri e vërtetë të planifikosh të vrasësh me gjakftohtësi dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë”.

“Është çmenduri të harxhosh 500,000 euro nga taksat e vjedhura të popullit për të vrarë dy deputetë dhe pastaj të harxhosh miliona euro për të fshehur të vërtetën e hidhur”, shkruan Doshi, i cili më pas shtron disa pyetje.

“Pse nuk pranon Ilir Meta të përfshijmë hetues të huaj për akuzat që i janë bërë atij, nëse është për hetim transparent dhe të paanshëm?
Përse e mohon Ilir Meta njohjen me Fatjon Skënderajn, kur mua të paktën më ka pranuar se ka qenë një herë për darkë në lokalin VIVA, në prani të Nard Kokës?
Pse e mohon Ilir Meta takimin me Mark Frrokun në zyrën e tij në Kuvend dhe ofertën që i ka bërë atij për fshehje të vërtetës?
Pse e dërgoi Ilir Meta mikun e tij të ngushtë Spartak Brahon në Gjermani në datën 6 Mars 2015, për të takuar Fatjon Skënderajn?
A i kanë dhënë ata Fatjon Skënderaj garanci për mospenalizim, në rast se do fshehte të vërtetën?”

Tom Doshi thekson se Ilir Meta ka marrë peng Partinë Socialiste e mazhorancën dhe premton se do i përkushtohet zbardhjes së kësaj çështjeje deri në fund, “pavarësisht sa kohë do të kërkojë”.

Top Channel