Veprimi i ministrit Varoufakis, polemika të ashpra në shtypin gjerman

17/03/2015 00:00

Polemikat e ashpra dhe cinike në mediat gjermane, pas publikimit të një videoje ku ministri grek i Financave, Varoufakis, sipas tyre ka bërë një gjest ofendues, duke ngritur gishtin e mesit ndaj Gjermanisë në një prej fjalimeve të tij në vitin 2013, kur ishte thjesht një profesor universiteti, janë pasuar edhe nga reagimet e qytetarëve grekë.

“Le të mos fajësojmë gjermanët, nuk e ka fajin Merkeli. Fajin e kanë politikanët dhe politika jonë”, tha Vasilis Koufis, një qytetar grek.

“Askush nuk duhet të kritikojë, atë që është duke bërë ministri i Financave si person. Ata duhet ta gjykojnë atë për njohuritë e tij dhe negociatat që po bën”, tha Markos Nikitakis, pensionist.

Megjithëse shumë grekë kanë qenë mosbesues për videon në fjalë, Varoufakis, i ftuar në një televizion gjerman, në fillim ka thënë se videoja e xhiruar në një konferencë në Zagreb para dy vitesh është produkt montazhi, por më pas ka pohuar se gjesti nuk i drejtohej Gjermanisë.

“Propozimi im ishte që Greqia, ashtu siç bëri Argjentina, duhej thjesht të njoftonte se falimentoi brenda euros në janar të vitit 2010 dhe t’i tregonte gishtin Gjermanisë, duke i thënë ‘mirë, zgjidheni vetë tani këtë problem’”, tha Yanis Varoufakis, ministri grek i Financave.

Shumë grekë, megjithëse kanë qenë në fillim përkrahës të Varoufakis, kanë filluar të distancohen prej tij, duke thënë se ekspozimi i tepërt në mediat vendase dhe të huaja dhe rivaliteti i hapur me homologun gjerman Shcauble, më shumë po i prish punë Greqisë.

Edhe ai vetë ka deklaruar se është penduar për fotografitë e fundit të tij, duke drekuar me bashkëshorten e tij me në sfond Akropolin, apo duke shëtitur rrugëve të Komos në Itali.

Por, duke sjellë si shembull fotografinë e  përçudnuar të Venusit të Milos, që botoi revista gjermane “Fokus” në vitin 2010, nuk janë të paktë edhe ata qytetarë, që mbrojnë zyrtarin kontroversial grek, që me sjelljet e tij, stilin e veshjes dhe përqasjet politike e ekonomike ka befasuar shumë kolegë europianë, të cilët po vënë në dyshim angazhimin e Greqisë për të respektuar premtimet e saj.

Top Channel