Kosovë, ndryshon TVSH-ja. Produktet e shportës dhe ilaçet më të lira

17/03/2015 00:00

Qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të paguajnë më lirë për produktet bazë, që përbëjnë shportën e konsumatorit, barnat dhe shërbimet publike, por më shtrenjtë për të gjitha produktet e tjera.

Ministria e Financave ka nisur ndryshimin e ligjit “për Tatimin e Vlerës së Shtuar”, duke reduktuar TVSH-në nga 16, sa është aktualisht në disa produkte, në 8 për qind; dhe duke e rritur në 18 për qind për disa të tjera.

Lista e produkteve, të cilat do të kenë TVSH-në 8 për qind, e për të cilat pritet ulja e menjëhershme e çmimit me të hyrë ligji në fuqi, janë shërbimet publike si energjia, uji, mbeturinat, ngrohja dhe pastrimi i rrugëve, si dhe produktet bazë të shportës së konsumatorit: buka, vaji, kripa, sheqeri, qumështi, orizi, vezët, barnat, produktet farmaceutike dhe pajisjet mjekësore.

“Çdo gjë që blejnë sot konsumatorët paguajnë 16 për qind TVSH. Presim që kjo të reflektohet drejtpërdrejt në faturën e ujit, ngrohjes dhe energjisë, për konsumatorët, menjëherë sapo të hyjë në fuqi ligji. Ata do të marrin faturën 8 për qind më të ulët, sesa e kanë marrë deri më tani, por pres që edhe për ushqimet elementare të ndodhë një gjë e tillë. Çdo gjë, që paguan konsumatori 16 për qind më shtrenjtë është vetëm prej TVSH-së. Nëse biznesi detyrohet që shtetit t’i paguajë vetëm gjysmën e saj, pra 8 për qind, atëherë detyrimisht që do të ulen çmimet”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave.

Qeveria e Kosovës ka parashikuar rritje të normës së TVSH-së për të gjitha produktet e tjera, nga 16 në 18 për qind. Në listën e produkteve me normë të ndryshuar janë edhe mediet elektronike dhe gazetat. Aktualisht mediet nuk paguajnë TVSH për letrën, pajisjet e tjera dhe faturat që lëshojnë. Me propozimin e ri, TVSH-ja shkon në 8 për qind.

Ndryshimet fiskale në përgjithësi janë mirëpritur nga njohësit e ekonomisë. Por, drejtori i institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku vlerësoi se këto ndryshime janë pozitive për shtresën e varfër të shoqërisë, por kanë efekt negativ te shtresat e mesme, pasi shumica e produkteve që nuk u takojnë atyre bazë do të shtrenjtohen për 13 për qind.

“Është 13 për qind rritje për të gjitha produktet, përveç produkteve bazike. Ndaj konsideroj se është vlerë e lartë dhe shtresa e mesme do të goditet më së shumti nga kjo, siç do të përfitojë shtresa e ulët nga ulja e TVSH-së. Pra, për një shtresë të mesme do të ketë një balancë në fund të fundit, sepse edhe shtresa e mesme konsumon produktet bazike, shërbimet publike, etj. Por është e panevojshme rritja e mëtejshme e TVSH-së, konsideroj se do të ishte më mirë të rritej baza tatimore, sesa vlera e tatimit, të luftohet informaliteti dhe të mbushet buxheti prej luftimit të aktiviteteve ilegale, e jo të rritet TVSH-ja për një pjesë të madhe të produkteve”, tha Lumir Abdixhiku, drejtor i institutit “Riinvest”.

Sa i përket TVSH-së për mediet, ministri i Financave tha se kjo është ende në nivel propozimi dhe se vendimi përfundimtar do të jetë i koordinuar me përfaqësuesit e medieve. Ministria e Financave ka propozuar edhe lirimin nga TVSH-ja për linjat e prodhimit, makineritë që përdoren në procesin e prodhimit, lëndën e parë që shfrytëzohet për procesin e prodhimit dhe pajisjet e teknologjisë informative.

“Deri më sot, kur një investitor i huaj ka ardhur në Kosovë për biznes ka paguar 16 për qind në kufi. Ne po planifikojmë ta heqim atë, që të bëhen më të lira investimet e huaja”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave.

Ligji për TVSH-në me ndryshimet e propozuara pritet të shkojë shumë shpejt në Kuvend për miratim. Varësisht nga dinamika e punës, janë dy afate se kur mund të hyjë ai në fuqi: muaji korrik i këtij i viti, ose janari i vitit 2016.

Top Channel