Mungesë kuorumi, shtyhet interpelanca  e Mustafës

17/03/2015 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të mbajë mbledhjen ku pritej të vendosej për interpelancën e kryeministrit Isa Mustafa sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Kryesia e Kuvendit u ndërpre për mungesë të kuorumit pasi aty mungonte kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe përfaqësuesi i Listës Serbe.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti tha se Kryesia kishte për qëllim që të thërrasë seancë plenare këtë të premte.

“Ne deshëm ta mbajmë mbledhjen e kryesisë, por meqë kryetari është jashtë shtetit në vizitë zyrtare, por u detyruam që ta shtyjmë për një ditë tjetër mbledhjen e Kryesisë. Këtë të premte ka qenë e planifikuar interpelanca e kryeministrit me kërkesë të VV-së, por edhe ajo duhet të shtyhet besoj javën e ardhshme”, thotë Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit.

Këtë shtyrje opozita e vlerësoi si dështim të Qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, pasi pranë 100 ditëve të qeverisjes ende nuk e ka dërguar në Kuvend për diskutim planin e punës.

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kdaj-Bujupi tha se qeveria nuk ka guxim të ballafaqojë programin e saj me deputetët në Kuvend.

“Në kutitë tona e kanë dorëzuar si informatë, që nënkupton që nuk do ta sjellin në seancë, nuk do ta prezantojnë dhe nuk do të marrin imputet nga diskutimet e deputetëve. Rrjedhimisht opinioni nuk do ta ketë aspak të qartë se çfarë përmban ai plan, i cili nga Qeveria nuk po sillet në Kuvend dhe seancë për t’u ballafaquar. Prandaj mund të themi se Isa Mustafa si kryeministër ka përgatitur një plan për veten e tij dhe për ta mbajtur fshehur, e jo për ta sjellë në seancë për t’u ballafaquar me deputetët siç e do rendi sepse është republikë parlamentare”, deklaroi Donika Kadaj-Bujupi, shefe e Grupit Parlamentar, AAK.

Pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për mungesë të kuorumit nuk dihet se kur do të mbahet mbledhja e radhës për ta caktuar seancën plenare të Kuvendit.

Top Channel