30-vjeçarët që jetojnë me prindërit, bekim apo bezdisje?

17/03/2015 00:00

Numri i të rriturve europianë, që rikthehen te shtëpia e prindërve është rritur në mënyrë të dukshme vitet e fundit. Arsyeja kryesore është kriza ekonomike, pasi të rinjtë e papunë nuk mund të përballojnë qiratë e larta të apartamenteve.

Për shkak të krizës, edhe 30-vjeçari Krenar Gozhdari humbi vendin e tij të punës në Itali dhe prej 1 viti është kthyer në Shqipëri për të jetuar me prindërit.

Enologu, i diplomuar në Universitetin e Udines, ka filluar punë prej pak kohësh si kërkues shkencor pranë Qendrës së Kërkimeve Ushqimore, të Universitetit të Kamzës.

“Çdo vendim ka pjesët e tij të mira dhe të këqija. Por gjatë këtyre viteve të qëndrimit vetëm në Itali e kam ndjerë shumë mungesën e familjes, ndaj dhe rikthimi në gjirin familjar më duket si një ndjesi e re që më pëlqen”, thotë Krenari.

Për 10 vjet, ai ka jetuar vetëm ose me të rinj të tjerë, dhe nuk pasur asnjëherë rregulla strikte, si ato që janë në shtëpi. Festa me miq, muzikë të lartë, mund të ftonte kë të donte dhe kur të donte. Këto kanë marrë fund tani.

“Më mungon liria, kur isha vetëm mund të bëja pak a shumë ç’të doja. Gatuaja kur të doja, flija sa të doja dhe dëgjimi i muzikës me zë të lartë. Pastaj janë edhe oraret e hyrjes dhe daljes nga shtëpia. Për të mos përmendur festat me shokët e shoqet”, tregoi Krenari.

Por të jetosh me prindërit ka edhe avantazhe. Në sondazhet që janë zhvilluar së fundmi, të rriturit në vendet europiane thonë se kthimi te prindërit u ka përmirësuar llogarinë bankare. Të njëjtën gjë e thotë edhe Krenari.

“Duke qenë vetëm, jo i lidhur, do të ishte një shpenzim i kotë të merrja një shtëpi me qira, duke ditur pagat që marrim këtu në Shqipëri. Edhe pse bëj dy punë, mendoj se duhet kursyer pak për nesër, sidomos tani që jemi ende të rinj”, tha Krenari.

Top Channel