“Pijanecët e ajrit t’egër”, filmi i shumëdiskutuar në Sarandë

17/03/2015 00:00

Një film i shfaqur në kinoteatrin e Sarandës, si pjesë e programit mësimor dhe që është konsideruar nga disa prindër me skena të papërshtatshme për fëmijët e tyre, është bërë objekt diskutimi në mbarë vendin.

“Pijanecë të ajrit t’egër”, një film që ka në fokus adoleshentët, është vënë në qendër të vëmendjes për shkak se ndjekja e tij është organizuar nga shkollat 9-vjeçare të qytetit dhe se, sipas prindërve, fëmijët janë ndjerë në siklet nga disa skena të tij.

Ndërkohë, Drejtoria Rajonale Arsimore e Sarandës ka bërë të ditur se filmi ishte referuar për t’u shfaqur si orë edukative nga Ministria e Arsimit.

Zëvendësminstrja Nora Malaj tregon për “Pasditen”, se pranë tyre është bërë kërkesë nga skenaristi dhe producenti Leonard Bombaj, që filmi të bëhej aktivitet për shkolla, por që kjo kërkesë nuk është pranuar, jo për shkak të përmbajtjes, por për shkak të efekteve financiare.

“Unë e kam mirëpritur në zyrë zotin Bombaj. Kemi bashkëbiseduar për vlerat e filmit, i kam kërkuar të paraqesë një kërkesë zyrtare, e cila na është paraqitur mua dhe drejtoreshës së arsimit parauniversitar, zonjës Gjini, por vendimmarrja jonë ishte që diçka e tillë nuk mund të bëhej. Dëshira dhe bashkëbisedimet që bëjmë janë tjetër gjë, ndërsa vendimmarrja zyrtare është tjetër gjë. Arsyeja e thjeshtë që nuk mund të bëhej është sepse Ministria e Arsimit nuk oferton dhe nuk jep miratimin për institucionet që, në produktin që duan të realizojnë, ka edhe pjesë fitimi. Ndonëse kjo pjesë fitimi u tha që do të shkonte për rritjen e fëmijëve për një film tjetër, natyrisht që nuk mund të hynim në këto raporte”, tha zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj.

Malaj thotë se s’ka informacion nëse ka pasur organizime të ngjashme të shkollave në qytete të tjera të vendit, por për rastin konkret është ngritur një grup pune.

“Do të shikohet rast pas rasti. Nëse titullari i shkollës, apo titullari i DAR ka marrë masat për bashkëpunimin, duke e quajtur këtë aktivitet si të nevojshëm, do të shohim procedurën. Nëse procedurat janë në rregull, atëherë jemi brenda rregullave. Nëse procedura ka cënuar procesin e mësimit, problematikat e shfaqura, nuk është pyetur komuniteti i prindërve, apo ka pasur situata jo të përshtatshme, atëherë kemi ngritur një grup pune që do të bëjë një vendimmarrje zyrtare, mbi bazën e së cilës do të shikohen të gjitha rastet për procedimin e kësaj situate”, shtoi më tej zonja Malaj.

Ndërkohë, premiera e filmit është shfaqur në tetor të 2014-s. Ai u adresohet jo vetëm të rinjve, por edhe prindërve e gjithë shoqërisë. Ai pasqyron 6 ditë, nga jeta e 6 të rinjve në pyllin e Divjakës, dhe gërsheton muzikalin, dramën dhe komedinë.

Top Channel