Gjermania kthen 60 emigrantë të paligjshëm kosovarë

17/03/2015 00:00

Rreth 60 emigrantë janë kthyer të martën në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me një fluturim të veçantë nga Gjermania.

Të kthyerit janë qytetarë, të cilët janë larguar kohët e fundit nga Kosova në kërkim të një jetë më të mirë.

Xilaje Isaku, nga Suhareka, së bashku me burrin dhe 4 fëmijët e saj kishin emigruar, në mënyrë ilegale, për në Gjermani, që nga tetori.

“Shkuam deri në Hungari me autobus, e prej andej gjetëm një lidhje për në Gjermani, ku kërkuam azil dhe ndenjëm në pritje. Jo, nuk kam më dëshirë të shkoj, por e tentuam sepse atje kishe jetë më të mirë, si për fëmijët edhe për ne. Këtu jemi pa punë, pa asgjë. Mua më erdhi letra për t’u kthyer në Kosovë dhe u ktheva vullnetarisht”, tha Xilaje Isaku, emigrante e kthyer.

Ndërsa Gafurr Kabashi, nga komuna e Prizrenit, i larguar një vit më parë, thotë se po t’i jepet mundësia do të emigrojë përsëri.

“Po kthehemi prapë, prej një viti e një muaji isha në Gjermani. Na kanë pritur mirë, kushtet kanë qenë të mira, por erdhi momenti dhe na kthyen. Sigurisht që arsyeja është situata e rëndë ekonomike në Kosovë, nuk ka të ardhme, papunësia është e madhe”, tha Gafurr Kabashi, emigrant.

Të kthyerit janë vetëm disa prej 50 mijë qytetarëve kosovarë, të cilët janë larguar nga Kosova muajt e fundit.

Top Channel