“Dorëheqja e kreut të Kuvendit, çështje e brendshme e Shqipërisë”

17/03/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijoi takimet në Berlin edhe me zëdhënësin e CDU-së në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut, Roderich Kiesewetter.

Mes të tjerash, ai bisedoi edhe për akuzat ndaj Ilir Metës dhe kërkesën e opozitës për dorëheqjen e tij. Pas takimit, në një intervistë për Dojçe Vele, ligjvënësi gjerman theksoi se dorëheqja e kreut të Kuvendit është një çështje e brendshme e Shqipërisë .

“Zgjidhjen duhet ta gjejë politika e brendshme e Shqipërisë”, tha Kiesewetter. Megjithatë, ai theksoi se në raste akuzash të rënda mund të mendohet mundësia e lënies përkohësisht vakant të postit.

I kujdesshëm për të mos u keqkuptuar në fjalët e tij, Kiesewetter përsëriti se “në radhë të parë është gjithmonë një çështje e politikës shqiptare për t’i zgjidhur punët e saj”.

Por, ai shtoi se mënyra si zgjidhen çështjet në Shqipëri ndikon në vlerësimin që jepet për fillimin apo jo të negociatave për anëtarësim në BE.

Në Berlin, Basha takoi edhe bashkëpunëtorët e kancelares Angela Merkel.

Top Channel