Jahjaga në Zvicër, në konferencën e sipërmarrësve të diasporës

17/03/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë këtë të martë në Konferencën për përkrahje institucionale për sipërmarrësit e diasporës, që i zhvilloi punimet në Winterthur të Zvicrës.

Jahjaga, në fjalën e saj para bashkatdhetarëve, i ka quajtur ata si një shtyllë e fortë e proceseve, nëpër të cilat ka kaluar vendi.

“Në momentet më të vështira për vendin, kur na kanosej gjenocidi dhe zhbërja totale, ju jo vetëm që financuat luftën tonë çlirimtare, por nuk hezituat t’i bashkëngjiteni Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftoni për lirinë që gëzojmë sot”, ka thënë Jahjaga në Winterthur.

Jahjaga shtoi se shqiptarët e Zvicrës janë shembull i shkëlqyeshëm i integrimit të suksesshëm.

“Këtu nuk e kam fjalën vetëm për Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Behramin, Blerim Xhemajlin, Pajtim Kasamin e Admir Mehmedin. Sot, universitetet e Zvicrës janë plot me studentë tanë, të cilët shkëlqejnë me punën dhe angazhimin e tyre. Ju afaristë jeni pjesë e vlefshme e ekonomisë zvicerane dhe puna juaj vlerësohet shumë lart. Mjekë, bankierë, juristë, ekonomistë, menaxherë, ndërtues, prodhues, hotelierë, pronarë restorantesh e biznesesh të ndryshme të diasporës kontribuojnë çdo ditë në zinxhirin e vlerës së ekonomisë së Zvicrës dhe më gjerë”, ka thënë Jahjaga.

Presidentja Jahjaga ka ftuar bashkatdhetarët, që të investojnë në Kosovë, duke i siguruar se institucionet e Kosovës janë thellësisht të përkushtuara, që të ofrojnë kushte më të mira për marrëdhënie biznesi.

Në konferencë morën pjesë edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, dhe ministri i Diasporës, Valon Murati. Konferenca, e organizuar me mbështetjen e qeverisë zvicerane dhe asaj austriake, mblodhi një numër të madh të sipërmarrësve nga diaspora.

Top Channel