Tiranë, merret peng nga 3 persona të armatosur një 43-vjeçar nga Berati

17/03/2015 00:00

Një 43-vjeçar është marrë peng mbrëmjen e së hënës në kryeqytet nga të paktën 3 persona të armatosur.

Ngjarja në fjalë është regjistruar në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë, ku persona ende të paidentifikuar, kanë marrë me forcë dhe nën kërcënimin e armëve një person, i identifikuar më pas si Leonat Gavelli.

Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se ka qenë një dëshmitar i rastit, i cili ka njoftuar policinë, e cila është vënë menjëherë në lëvizje për gjurmimin e automjetit në të cilin është marrë Gavelli.

Postblloqe të shumta janë ngritur në pikat hyrëse të Tiranës, kryesisht në ato që e lidhin kryeqytetin me Elbasanin.

Ndërkaq, mbetet ende e paqartë për blutë e Tiranës dinamika e ngjarjes, ndërsa janë duke u marrë në pyetje disa dëshmitarë. Për shkak edhe të errësirës, pengmarrësit kanë arritur të largohen pa lënë gjurmë.

Leonat Gavelli, nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2007, drejtësia italiane ngriti ndaj tij dhe dy të afërmve të tij, akuza për trafikim të lëndëve narkotike nga Kolumbia në drejtim të Italisë, duke u cilësuar në atë kohë si një nga grupet më të fuqishme të trafikimit të kokainës në shtetin fqinj.

Top Channel