Izrael, partia e Netanyahu-t fiton zgjedhjet parlamentare

18/03/2015 00:00

Partia Likud e Benjamin Netanyahu-t ka fituar zgjedhjet në Izrael duke marrë më shumë vota se Unioni Zionist i Isaac Herzog. Sipas BBC, nga numërimi i shumicës së votave, partia Likud ka marrë 30 vende në Parlament, ndërsa Unioni Zionist 24.

Lideri i Unionit, Yitzhak Herzog, ka telefonuar Netanyahu-n për ta ururar për fitoren, ndërsa për gazetën ‘Haaretz’ ka thënë: “Asgjë nuk ka ndryshuar, do të vazhdojmë të luftojmë për një shoqëri të drejtë.”

Ndërkohë, në një fjalim para mbështetësve të tij në Tel Aviv, Netanyahu tha se ka nisur bisedimet me liderët e partive të tjera të qendrës së djathtë për të formuar qeverinë e re sa më shpejt të jetë e mundur.

Gjatë së martës, miliona izraelitë iu drejtuan kutive të votimit për të përcaktuar kryeministrin e ri të vendit të tyre, si dhe përbërjen e Parlamentit të ri. Fletët e votimit ishin përcaktuar me emrat e partive politike, e jo me kandidatë individualë në sistemin e përfaqësimit proporcional të Izraelit, gjë që nënkupton se pritet të formohet një koalicion qeverisës në Knesset-in prej 120 vendesh.

Netanyahu do të duhet të përballet me kriza ndërkombëtare dhe vendase, përfshi çështje të sigurisë, marrëdhënieve me jashtë, çështjen palestineze dhe shqetësimet në rritje për koston e lartë të jetesës në Izrael.

Top Channel