Policia, kontroll në Lazarat pas incidentit me armë

18/03/2015 00:00

Forca të shumta të Policisë së Gjirokastrës, mbështetur nga RENEA dhe FNSH, hynë mëngjesin e së mërkurës në fshatin Lazarat, duke zhvilluar kontrolle të imtësishme.

Aksioni, në të cilin mori pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, nisi pas një incidenti ndodhur mbrëmjen e së martës rreth orës 21:00, kur 4 persona të armatosur, të cilët qarkullonin me një automjet “Mitsubishi” me targa false, janë përplasur me armë me forcat e policisë.

Patrulla e policisë i ka dhënë shenjë për të ndaluar mjetit, por ai nuk ka ndaluar. Pas kësaj, policia është vënë në ndjekje. Personat që gjendeshin në automjetin e identifikuar kanë shtënë me armë mbi policinë.

Njoftimi zyrtar konfirmoi se nuk ka të lënduar dhe as dëmtime serioze. Policia gjeti mjetin e braktisur, një armë zjarri, një fenelinë policie, gëzhoja e prova të tjera.

“Është një ngjarje e shkëputur, gjithsesi ne i dhamë rëndësinë e duhur për të treguar se Policia vazhdon me të njëjtin ritëm kundër çdo tentative për të rikthyer fenomenet e vjetra kriminale. Me të njëjtin presion apo të njëjtën metodë do të veprohet në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nuk do të tolerojmë asnjë ngjarje, sado e vogël të jetë në zonën e Lazaratit, apo në çdo zonë tjetër. Ajo që konstatoj me kënaqësi është që edhe vetë banorët e Lazaratit e kuptojnë dhe kanë qenë mirëkuptues dhe të distancuar nga këto veprime”, tha kryepolici Artan Didi.

Kontrollet e shtuara kanë ardhur edhe për shkak të kujdesit për të penguar çdo tentativë rikthimi në kultivimin e hashashit.

“Nuk e shikoj për momentin një rrezik të tillë, por do të jemi të vëmendshëm, pasi jemi edhe në periudhën kur mund të fillojë kultivimi. Ndërkohë, jemi duke përgatitur planin e veprimit për masat që do të marrim kundër kultivimit të bimëve narkotike, që pritet të fillojë dhe të vihet në zbatim që nga java e ardhshme”, tha kreu i Policisë së Shtetit, Didi.

Policia, ndërkohë, është në kërkim të personave që kundërshtuan me armë, të cilët janë identifikuar.

Top Channel