Vijon protesta e PD përpara Kryesisë së Kuvendit

18/03/2015 00:00

Protesta e Partisë Demokratike përpara Kryesisë së Kuvendit, e cila është bërë e përditshme tashmë me synimin për të kërkuar dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, ka vijuar edhe gjatë së mërkurës, ku të pranishëm kanë qenë edhe deputetë të kësaj force politike.

Ndërsa të enjten, siç është paralajmëruar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, protesta që zhvillohet kryesisht me të rinj të Forumit Rinor të PD-së do të zhvendoset jashtë Parlamentit, përpara se të hyjnë deputetët në seancën plenare.

“Të enjten protesta do të jetë jashtë Parlamentit, ndërsa ne brenda Parlamentit. Meta për ne nuk është më aty, por nuk duhet të jetë as për shumicën e këtij institucioni”, deklaroi Ristani, pak ditë më parë.

Në protestën e së enjtes përpara Parlamentit do të mungojë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ndodhet në Berlin për disa takime me zyrtarë të CDU-së, partisë kryesore qeverisëse në Gjermani. Të enjten ai do të jetë në takimin e Partisë Popullore Europiane në Bruksel. Në Berlin dhe në Tiranë, demokratët po e krahasojnë Qeverinë e Tiranës me Qeverinë e Kremlinit.

“Kemi një kauzë të drejtë, sepse nuk mund ta lejojmë Shqipërinë të bjerë në duart e bandave. Duam Shqipërinë europiane dhe jo Shqipërinë e Rusisë putiniane”, tha atëherë Ristani.

Top Channel