Dibër, Policia, plan masash për qarkullimin. 4 të arrestuar

18/03/2015 00:00

Sektori i Qarkullimit Rrugor i Qarkut Dibër ka ndërmarrë një plan masash për kontrollin e drejtuesve të automjeteve dhe dokumentacionin e tyre.

Ky plan masash i nisur nga policia ka të bëjë me rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës. Kryesisht, Policia e Qarkullimit ka zhvilluar kontrolle të rrepta për automjetet “6 plus 1” dhe “8 plus 1”.

Burime nga sektori i Qarkullimit Rrugor bëjnë me dije se ky aksion ka vijuar prej ditësh, kryesish në rrethin e Matit dhe të Bulqizës.

Shefi i sektorit të Policisë Rrugore të Qarkut Dibër, Feta Guri, bën me dije se kontrollet shtrihen në të gjitha akset e këtij qarku, kryesisht tek Ura e Matit, Fushë Bulqizë, Ura e Topojanit, Shupenzë, ku aktualisht janë vendosur edhe pikat e kontrollit të Policisë së Qarkullimit Rrugor.

Gjatë këtij aksioni nuk kanë munguar masat administrative, kështu që burime nga policia bëjnë me dije se gjatë këtyre ditëve janë arrestuar 4 persona, të cilët nuk kishin patentë. Gjithashtu janë bllokuar dy automjete dhe janë ndëshkuar me gjoba kryesisht mjetet “6 plus 1”.

Top Channel