Protestat e opozitës kundër Metës. Të enjten, para Parlamentit që në orën 09:30

18/03/2015 00:00

“Nesër, që në orën 9 e 30 të mëngjesit, bashkë me qytetarët e vendit, do ta ritheksojmë edhe një herë kërkesën tonë në dyert e Parlamentit. Që Ilir Meta të dorëhiqet dhe Edi Rama të mbajë duart larg hetimit, në mënyrë që të kemi një proces të plotë, të drejtë, të painfluencuar nga pushteti.”

Me këtë thirrje, Partia Demokratike ftoi qytetarët të protestojnë përpara Parlamentit që herët në mëngjes, pa nisur ende seanca plenare. Me dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, demokratët besojnë se mund të ketë një proces hetimor të pavarur për çështjen e akuzës publike, që sipas deputetit Tom Doshi, implikon kryetarin e Kuvendit në skenarin e vrasjes së dy deputetëve.

“Ai jo vetëm nuk ka reflektuar, nuk ka dhënë dorëheqjen për t’i hapur rrugën drejtësisë, por në bashkëpunim të ngushtë me Edi Ramën, Saimir Tahirin dhe gjithë strukturat shtetërore që kanë në dorë, po i bëjnë presion prokurorisë, dëshmitarëve kyç dhe po tentojnë fshehjen e së vërtetës. Ne nuk do të ndalemi derisa të zbardhet e vërteta”, tha kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.

Për shkak të një vizite zyrtare në Zvicër, kryetari i Kuvendit nuk ndodhet në Tiranë, por kjo nuk i ka penguar protestuesit demokratë të mblidhen para zyrës së kryeparlamentarit. Deputeti demokrat Genc Ruli tha: “Është turp i madh për shtetin, pasi ata që janë votuar, e kanë përdorur votën për të forcuar krimin dhe për të mbrojtur krimin.”

Demokratët besojnë se protesta do të jetë e efektshme, pavarësisht mungesës së kryetarit të Kuvendit.

“Protesta nuk bëhet për veshët që nuk dëgjojnë, por për qytetarët, për të inkurajuar shqiptarët të marrin në dorë  fatin e tyre. Shteti duhet të largohet nga krimi”, shtoi Ruli.

Top Channel