Kosovë, Rrahman Rama komandanti i ri i FSK-së

18/03/2015 00:00

Gjeneral-major Rrahman Rama ka pranuar detyrën e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga paraardhësi i tij gjeneral-lejtnant Kadri Kastrati.

Në ceremoninë ushtarake të dorëzim-pranimit të detyrës, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se ndërtimi i institucioneve shtetërore ishte sfidues, duke vlerësuar FSK-në si institucionin më të besueshëm të vendit.

“Ju po e përmbyllni këtë detyrë duke lënë pas vetes një institucion profesional, të gatshëm për të marrë përgjegjësitë që i takojnë në garantimin e sigurisë kombëtare. Juve, gjeneral Rama, që sot merrni detyra të reja dhe përgjegjësi të reja, ju uroj punë të mbarë. Ju pret një rrugë e gjatë për profesionalizimin e mëtejshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, një forcë multietnike, profesionale dhe që gëzon një besim të madh tek qytetarët e Kosovës”, deklaroi Jahjaga.

Krenar me FSK-në u shpreh edhe kryeministri Isa Mustafa, i cili theksoi se përmes kësaj force, Kosova dëshiron të institucionalizojë marrëdhëniet politike me NATO-n.

“Kosova është krenare me FSK-në dhe pjesëtarët e saj. Krenohet po ashtu me punën shumë të përkushtuar dhe të vyer të gjeneralit Kadri Kastrati, i cili tregoi vetëmohim në shërbim të shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës dëshiron të institucionalizojë marrëdhëniet politike me NATO-n përmes FSK-së, përkatësisht Forcave të Armatosura të Kosovës, dhe të marrë përgjegjësinë e saj në misionet humanitare dhe paqeruajtëse”, tha Mustafa.

Kryeministri shprehu besim të plotë se gjeneral-major Rama, në bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Forcës së Sigurisë do të vazhdojë me sukses rrugën e zhvillimit dhe të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura.

Ish-komandanti Kadri Kastrati, në fjalën e tij të fundit tha se, kjo ditë për të ishte e veçantë, “pasi nuk ka gjë më fisnike se të jesh në shërbim të atdheut”.

“Unë sot krenohem me arritjet e FSK-së. FSK-ja kishte rol kyç në rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë. Në bashkëpunim të ngushtë me misionet amerikane DIR dhe NAT, ajo ka dhënë propozimet e saj për dizajnimin e forcës së ardhshme, në përputhje me nevojat, kërkesat dhe koston e përballueshme”, tha Kastrati.

Kastrati përfundoi misionin e tij në FSK si i pensionist, pasi mosha e pensionit në ushtrinë e Kosovës është 55 vjeç.

Top Channel