Përleshje në Athinë, përkrahës të terroristëve përplasen me policinë

18/03/2015 00:00

Dhjetëra anarkistë janë përleshur me policinë greke në Athinë. Rreth 60 protestues me kapuçë në kokë janë mbledhur në shenjë solidariteti me grupin guerrilas të quajtur “Komploti i celulave të zjarrit”.

Ata kërkojnë lirimin e disa pjesëtarëve të këtij grupi të arrestuar nga policia, si dhe mbylljen e një burgu të ri të sigurisë maksimale, ku ata po mbahen.

Protestuesit u përleshën me policinë dhe i vunë zjarrin makinave përreth; shkatërruan objekte, thyen xhama dhe qëlluan autobusët me gurë.

Kjo është hera e dytë, që përleshjet shpërthejnë në rrugët e Athinës, që nga zgjedhja e kryeministrit të ri të majtë, Alexis Tsipras, në janar.

Në ditët para protestës, një grup anarkist shfrytëzoi mediat sociale për të tërhequr vëmendjen ndaj një greve urie, që kanë nisur disa anarkistë të dënuar, disa prej të cilëve janë shpallur fajtorë për grabitje banke.

Top Channel