Rama: Hapja e dosjeve, detyrim ndaj atyre që vuajtën regjimin e shkuar

18/03/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se hapja e dosjeve të ish-Sigurimit nuk bëhet “për shkak të një angazhimi elektoral, por sepse është një detyrim ndaj të gjithë atyre që vuajtën përndjekjet e regjimit të shkuar”.

Në një takim të mbajtur në Kryeministri, kreu i qeverisë tha se “projekti për hapjen e dosjeve ka filluar që në javët e para të qeverisë sonë”. Sipas tij, vendimi për hapjen e dokumenteve të fshehta të së shkuarës është parë dhe ende shihet jo si prioritet, por si një shtesë e tepërt në barrën e rëndë të problemeve të trashëguara. Moria e problemeve që kemi e bën të duket këtë projekt si një luks të panevojshëm. “Është e vërtetë që ky projekt nuk ndryshon ekonominë e vendit, por përbën një ndryshim themelor në raportin me të shkuarën dhe me vetveten si shoqëri”, shtoi Rama.

Më tej, ai nënvizoi: “Pas vitit 2010, për këtë temë u hesht dhe ne kemi marrë përsipër ta thyejmë këtë heshtje, jo për shkak të një angazhimi elektoral, por sepse ne besojmë që kjo nismë është një detyrim që e kemi ndaj të gjithë atyre që vuajtën përndjekjet e regjimit të shkuar. Shqipëria nuk mund të jetë i vetmi vend që nuk hap arkivat e ish-Shërbimit Sekret. Hapja e dosjeve i jep jetë aspiratës sonë për të jetuar në një shoqëri demokratike”.

Kryeministri i vendit bëri të ditur se, hapja e dosjeve do të realizohet sipas modelit gjerman, sepse Gjermania ka qenë shteti më i suksesshëm në këtë proces: “I jemi referuar përvojës së Gjermanisë pasi konsultuam edhe përvojën e vendeve të tjera. Gjermania ka kapërcyer me sukses unikal dy diktatura të tmerrshme: nazizmin dhe komunizmin. Ky shtet ka qenë më i suksesshëm se të tjerët për faktin se nuk i është trembur përballjes me vetveten”.

Top Channel