Graçanicë, mblidhen Kuvendet Komunale me shumicë serbe

18/03/2015 00:00

Në Graçanicë të Kosovës është zhvilluar sot mbledhja e parë e Kuvendeve Komunale me shumicë serbe.

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç e quajti këtë mbledhje një shfaqje force të kësaj popullate në Kosovë, ndërsa deklaroi se ajo që ndodhi me ish-ministrin Jabllanoviç nuk duhet t’i bëhet asnjë serbi në Kosovë.

Ai shtoi se Serbia do të vazhdojë ta ndihmojë komunitetin serb në Kosovë, politikisht, ekonomikisht dhe në mënyra të tjera. Ndërsa vetë ish-ministri serb për Kthim në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç ka deklaruar se ata, si përfaqësues të serbëve në Kosovë, kanë kryer detyrat e tyre dhe tani, sipas tij, i mbetet Qeverisë së Kosovës të jetë më konstruktive dhe t’i kryejë detyrat e SAJ.


“Fatkeqësisht, sot ka njerëz që mendojnë ta pastrojnë Kosovën, por unë jam i sigurt që edhe mes shqiptarëve mund të gjejmë njerëz, me të cilët do të kemi gjuhë të përbashkët dhe marrëveshje. Ne, detyrat tona i kemi kryer, kemi dalë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, kemi qenë pjesë konstruktive e Qeverisë dhe tani presim, që kjo qeveri të jetë më konstruktive dhe t’i realizojë detyrat e veta. Qëkur kemi ardhur ne, serbët nuk po ndahen në veri dhe jug, por ndahen në serbë të mençur dhe jo të mençur”, ka thënë ai.

Takimi i tyre ka vijuar më pas pa praninë e mediave.

Top Channel