Tunizi, masakër turistësh në Muzeun Kombëtar; 19 viktima

18/03/2015 00:00

Militantë të armatosur sulmuan këtë të mërkurë Muzeun Kombëtar pranë Parlamentit të Tunizisë, duke vrarë 19 persona, prej të cilëve 17 turistë dhe duke marrë peng shumë të tjerë, që u liruan përmes një operacioni të forcave speciale.

17 turistët e vrarë janë kryesisht italianë, spanjollë, polakë dhe gjermanë, që po vizitonin muzeun pas një ndalese në Tuniz të anijes turistike me të cilën po udhëtonin, ndërsa dy viktimat e tjera një vendas dhe një oficer policie.

Kryeministri i vendit, Habib Esid bëri të ditur lajmin, duke saktësuar se, gjatë blicit të forcave speciale mbetën të vrarë 2 militantë pengmarrës, ndërsa 3 të të tjerë janë në arrati.

Ndërkohë, disa media ndërkombëtare raportojnë në portalet e tyre online se bilanci mund të jetë 22 viktima dhe rreth 50 të plagosur, ndërsa shtojnë se Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e masakrës.

Disa turistë të tjerë, mes të cilëve edhe francezë e britanikë, rendën sa të mundnin për të gjetur vende të sigurta strehimi, teksa u ndihmuan edhe nga forcat e sigurisë që mbanin armët të drejtuara nga ajri për të shmangur ndonjë incident.

Ngjarja ndodhi në muzeun Bardo, në qendër të Tunizit, në territorin e Parlamentit, që është tepër i preferuar nga turistët e huaj dhe që konsiderohet si një ndër zonat më të sigurta.

Sulmi ndaj një institucioni kaq të lartë përbën një goditje të rëndë për vendin afrikano-verior, që bazohet kryesisht te turizmi, me në krye vizitorët europianë.

Deri më sot, Tunizia kishte shmangur çdo lloj ngjarjeje të dhunshme të militantëve ekstremistë, që prej trazirave të vitit 2011 që rrëzuan autokratin Zine El-Abidine Ben Ali. 

Top Channel