Komisioni i Dekriminalizimit, debate PD-PS për largimin e Metës

18/03/2015 00:00

As komisioni i posaçëm për zbatimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit PS-PD nuk i ka shpëtuar toneve të larta të debatit me synimin e qartë të opozitës për të bërë prezent kauzën politike të largimit të Ilir Metës edhe në këtë tryezë, prej nga pritet të dalë drafti ligjor për dekriminalizimin e admistratës dhe të zgjedhurve.

“Çfarëdo që të prodhojë ky komision, nëse në fund firma poshtë dokumentit është e Ilir Metës, producent i kandid kamerave, nuk ka kuptim”, deklaroi deputeti demokrat Gent Strazimiri.

“Jo zotëri, nuk të pranoj. Nëse do të bësh miting dil atje poshtë. Unë nuk toleroj askënd që të flasë me këtë gjuhë për kryetarin e Kuvendit dhe institucionet e Shqipërisë”, replikoi nënkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla.

Balla i kërkoi opozitës të respektojë pikën e parë të marrëveshjes së përbashkët. “Nuk ta kërkoj përgjigjen tani, do ta pres mbledhjen e ardhshme, por duhet të respektosh pikën e parë të marrëveshjes që parashikon kthimin e opozitës në Kuvend”, tha Balla.

Kjo ishte mbledhja e dytë e komisionit të posaçëm të hartimit të kornizës ligjore për pastrimin e administratës dhe organeve të zgjedhura nga personat me rekorde kriminale, që u zhvillua plot tre javë pas konstituimit të tij, në një kohë kur ambicja e opozitës është vendosja e pengesave ligjore për kandidatët e zgjedhjeve vendore.

“Si do ta bëjmë ne të mundur që në zgjedhjet e ardhshme të mos fusim elementë me rekorde të tmerrshme kriminale”, parashtroi pyetjen deputeti demokrat, Eduart Halimi.

“Sot kemi liderin e opozitës, Lulzim Basha, shumë larg fjalës ‘rekord kriminal’. Ka një proçedim penal të pushuar me proçedurë për abuzim me 230 milionë euro dhe sigurisht ajo paketë për dekriminalizimin që ne synojmë ta votojmë do ta përjashtojë atë nga jeta politike”, u përgjigj deputeti i PS, Ulsi Manja.

Por qartësisht koha për këtë është e shkurtër, pasi partitë pritet të shpallin kandidatët brenda pak javëve, ndërsa drafti ligjor për dekriminalizimin do të marrë disa muaj të tjerë, pasi mund të shoqërohet edhe me ndërhyrjë në Kushtetutë, siç u tha në këtë komision. Ajo që kryetari Oerd Bylykbashi sheh si zgjidhje është një normë ligjore tranzitore vetëm për kandidatët për zgjedhjet e 21 qershorit.

Top Channel