Basha vijon takimet në Gjermani: Largimi i Metës, garanci për hetimin

18/03/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka zgjeruar rrethin e atyre, me të cilët ka diskutuar rreth situatës aktuale politike në Shqipëri dhe domosdoshmërisë jetike për dekriminalizimin e politikës.

Pas takimit me dy prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Kancelares Angela Merkel, Basha ishte në Bundestag me përfaqësues të politikës së jashtme dhe të çështjeve europiane.

Duke denoncuar fshehjen nga kryministri dhe ministri i Brendshëm për gati 6 muaj të skenarit për vrasjen e dy deputetëve, Basha tha në takim se një zgjidhje për besueshmërinë e hetimit është dorëheqja e kryetarit të Kuvendit.

Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, “ligjvënësit gjermanë kanë vlerësuar se mënyra e hetimit të kësaj çështjeje do të ndikojë në vlerësimin që jepet për fillimin apo jo të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”.

Duke iu referuar praktikës më të mirë perëndimore, anëtarët e Bundestagut janë shprehur se “për një akuzë të rëndë, zyrtarët largohen nga posti, për t’i hapur rrugë hetimit”.

Këtë e konfirmoi publikisht më vonë edhe kryetari i komisionit për çështjet evropiane të Bundestagut, Gunther Krichbaum. Ai tha për “Deutsche Welle” se, “duke parë cilësinë e akuzave, deri në sqarimin e plotë të së gjithës, kryetari i Kuvendit duhet ta lërë përkohësisht vakant postin e tij, pasi vetëm kjo do të mundësonte një sqarim pa paragjykime”.

Zyrtari i lartë tha se, “ajo që kërkon bashkësia ndërkombëtare është një sqarim i plotë dhe pa boshllëqe. Dhe një gjë të tillë një qeveri dhe një parlament ia ka për borxh në fund të fundit edhe popullit, sepse populli nuk ka dëshirë ta humbasë besimin tek aktorët politikë”.

Gjatë takimit me kreun e opozitës, anëtarët e Bundestagut theksuan se, zbatimi i marrëveshjes së dhjetorit për dekriminalizimin është një domosdoshmëri për Shqipërinë.

Gjithashtu, ata mbështetën vendimin e Partisë Demokratike për të verifikuar kandidatët e saj për zgjedhjet lokale nëpërmjet një komisioni të posaçëm, në mënyrë që të përjashtohet çdo person me rekorde kriminale.

Ligjvënësit gjermanë e kanë cilësuar këtë nismë si një sinjal të fortë edhe për partitë e tjera, duke i inkurajuar ato të ndjekin të njëjtën praktikë.

Basha i ka shpeshtuar vizitat në Berlin, sepse me CDU-në e Kancelares Merkel po bashkëpunon në hartimin e platformës elektorale, që do të paraqitet nga kreu i opozitës si një ofertë për shqiptarët në rrugën drejt integrimit dhe zhvillimit ekonomik.

Top Channel