Ligji për lojërat e fatit, kazinotë vetëm në zona turistike

18/03/2015 00:00

Shkalla e lartë e informalitetit, e evazionit fiskal dhe pasojat sociale negative për qytetarët, sipas qeverisë, bëjnë të nevojshëm reformimin e kuadrit ligjor të lojërave të fatit me qëllim rregullimin e këtij sektori.

Pikë e rëndësishme e projektligjit të prezantuar para deputetëve është kufizimi në shtrirje territoriale i kazinove vetëm në zonat e përcaktuara për zhvillimin e turizmit.

“Kazinotë dalin jashtë qyteteve dhe vetëm në pikat turistike, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me hotele me pesë yje”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Për të kufizuar numrin e pikave të basteve sportive, ligji përcakton një numër maksimal sallash si dhe rrit distancën nga mesatarisht 20 në 200 metër nga njëra sallë në tjetrën.

“Kufizohet numri për një subjekt, NIPT-et sekondare janë vetëm 500 dhe 200 metra distancë në vijë ajrore. Imagjinoni në një qytet të vogël 200 metra vijë ajrore ku nuk lejohet asnjë pikë, mendojeni këtë distancë në zona të vogla larg shkollave, larg objekteve të kultit etj”, sqaroi ministri Cani.

Por disa deputetë kërkuan që kjo distancë të jetë më e largët, me qëllim një kufizim më të madh të pikave të basteve që përbëjnë dhe pjesën më të madhe në totalin e lojërave të fatit me 4 subjekte të licencuara dhe 3000 deri në 4000 NIPT-e sekondare ose salla.

“Nëse biem dakord që mungojnë të dhënat që shteti humbet para dhe janë një grup individësh që fitojnë, me këtë ligj nuk e zgjidhim, por hapim një kapitull zgjidhjeje”, tha deputeti socialist Eduard Shalsi.

Projektligji përcakton një afat licencimi deri në 10 vite për bastet sportive, ndërsa tarifa është dhjetëfishuar në 200 milionë lekë. Kurse për kazinotë, tarifa e licencimit nis nga 1 miliard lekë. Detyrimi tatimor nga shuma fikse përcaktohet në 25 % mbi të ardhurat bruto, por jo më pak se 40.000 lekë për sallë për bastet sportive.

Nga data 31 Mars 2016, 0.3 përqind e xhiros vjetore të lojërave të fatit do të shkojë respektivisht për sportin, turizmin dhe kulturën. Projektligji i ri rrit moshën e lejuar deri në 21 vjeç nga 18 që është aktualisht, edhe pse deri tani nuk ka qenë ligji ai që ka lejuar përfshirjen e te miturve në këtë biznes, por moszbatimi i tij.

Top Channel