Kosovë, vijojnë debatet në Këshillin Prokurorial

18/03/2015 00:00

Megjithë pajtimet e arritura mes anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurorja Sevdije Morina megjithatë ka vendosur t’i përgjigjet akuzvae të kryeprokurorit Sylë Hoxha.

Nëpërmjet një komunikate për media, Morina thotë se kolegu i saj nuk ka kredibilitet dhe të drejtë morale t’u drejtohet qytetarëve, sepse ai është shkaktari më i madh i dëmtimit të sistemit prokurorial.

“Ndoshta do të ishte më mirë që Sylë Hoxha, në vend që të kujtojë kohët e 25 viteve më parë, të kujtojë vëllain e tij, ish-gjyqtar, i cili aktualisht po vuan dënimin me burg për korrupsion të kryer gjatë kohës që ishte në këtë funksion”, thuhet në reagimin e Sevdije Morinës.

Lidhur me akuzat për bashkëpunim me Prokuroinë për Krime Lufte të Serbisë, Morina thotë se Prokuroria Speciale, pasi ka marrë kompentencat nga EULEX-i, i është drejtur me shkrim ministrisë përgjegjëse duke injoftuar se, kur të dyshuarit janë qytetarë të Kosovës dhe krimi ka ndodhur në Kosovë nuk do t’u përgjigjet kërkesave të Serbisë për ndihmë juridike ndërkombëtare.

Në fjalimin e së hënës, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, në vazhdën e kritikave për prokuroren Morina, theksoi faktin se ajo është kunata e Rrahman Morinës, një ish-politikan dhe besnik i ish-liderit serb Sllobodan Millosheviç.

Lidhur me këtë, zonja Morina shton në reagimin e saj se, si prokurore në shtator të vitit ‘90 është shkarkuar nga Kuvendi i Serbisë.

Top Channel