Kosovë, qeveria miraton ligjet për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive

18/03/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka aprovuar pakon e projektligjeve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si kërkesë e raportit të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Pjesë e pakos është projektligji për barazi gjinore, projektligji për mbrojtjen nga diskriminimi dhe ai për avokatin e popullit.

“Përmes këtyre projektligjeve synohet të arrihet përmirësimi i infrastrukturës ligjore për promovimin e të drejtave të njeriut, ndërmarrjen e masave pozitive lidhur me jetën ekonomike, politike  e kulturore, si dhe për gëzimin e të gjitha të drejtave kushtetuese e ligjore për të gjithë personat që jetojnë në Kosovë”, deklaroi kryeministri Isa Mustafa.

Projektligji për barazi gjinore ka për qëllim të trajtojë në mënyrë të barabartë gratë, burrat dhe pjesëtarët e komunitetit LGBT. Ndërsa në projektligjin për Avokatin e Popullit është përfshirë krijimi i mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës dhe trajtimeve çnjerëzore.

“Trajtimi i barabartë do të garantojë barazinë gjinore, promovimin e saj dhe vlen për gratë, burrat dhe personat me karakteristikë të mbrojtur të identitetit gjinor. Kjo, në sferën publike dhe atë private të jetës shoqërore, duke përfshirë punësimin, ekonominë, përfitimet shoqërore, sportin dhe kulturën”, deklaroi ministri Kujtim Shala.

“Ky projektligj ka dy qëllime: e para krijimin e mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës, keqtrajtimit dhe ndëshkimeve të tjera çnjerëzore e poshtëruese; si dhe do të rrisë kompetencat e Avokatit të Popullit si mekanizëm i barazisë për monitorimin dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve të Kosovës”, tha ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Kabineti qeveritar i ka dhënë dritën e gjelbër edhe projektligjit për armët, që rregullon kushtet për blerjen, armëmbajtjen, prodhimin, shitjen, transportimin dhe shënimin e armëve dhe municioneve për personat fizikë dhe juridikë.

Kryeministri Mustafa njoftoi se javën që vjen qeveria do të ketë aktivtitete të shumta. Të hënën do të zhvillohet takimi mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilin pritet të nënshkruhen shumë marrëveshje për bashkëpunim në fusha të përbashkëta.

Ndërsa më datë 25 të të njëjtit muaj në Prishtinë do të mbahet një takim i gjashtë ministrave të Jashtëm dhe të Infrastrukturës, lidhur me projektet e përbashkëta të Ballkanit, ku do të jetë prezent edhe komisioneri Hahn.

Ndërsa një ditë më pas Kosovën do ta vizitojë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, e cila do të bisedojë me autoritetet vendase për axhendën integruese të Kosovës.

Top Channel