Sa shumë alarme për bombë

18/03/2015 00:00

Alarmet për bombë, sa shumë raste përgjatë një muaji…

Alarmi te rruga e “Kavajës”, 4 mars: Një çantë e dyshimtë e hedhur në mes të rrugës pranë Ambulancës nr. 9 në kryeqytet, pranë kryqëzimit të “21 dhjetorit” ka shkaktuar panik dhe alarm. Kjo ka vënë në lëvizje dhe policinë, e cila është njoftuar përmes një telefonate për praninë e këtij objekti të dyshimtë.

Alarmi për bombë te “Parku Rinia”, 7 mars: Një çantë sportive me mbishkrimin “Mos prek” u gjet në një prej stolave të ish-Parkut Rinia gjatë orëve të paradites. Pas shpërthimit të kontrolluar të forcave xheniere rezultoi se alarmi për bombë ishte i rremë. Pak orë pas ngjarjes, policia shoqëroi pronarin e çantës, një student nga Lezha.

Alarmi për bombë pranë Prokurorisë së Tiranës, 14 mars: Kalimtarë të rastit njoftuan sallën operative të Policisë së Tiranës, se kishin parë një qese të mbështjellë me natriban pranë Prokurorise së Rrethit. Pakoja e dyshimtë u gjet në rrugën “Haxhi Hysen Delliu” gjatë mesditës. Pas kontrollit të ushtruar nga ekspertët xhenierë rezultoi se bëhej fjalë për një alarm të rremë.

Alarmi për bombë pranë RTSH-së: Një tjetër alarm fals për bombë u regjistrua pranë zonës së Radio Televizionit publik dhe Liceut Artistik në Tiranë. Valixhja e dyshimtë, e pikasur nga kalimtarët, angazhoi për disa orë forca të shumta policore. Brenda valixhes u gjetën letra dhe mbeturina.

Alarmet sot: Dy alarme të rreme për bombë u shënuan mëngjesin e sotëm në kryeqytet. I pari u shënua në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari” në Kombinat, ku u dyshua se në kutinë e gjetur kishte eksploziv. Ngjarja pasoi tjetrën dhe, vetëm pak minuta më pas, një çantë me mbishkrimin “bombë për shtetin” u gjet pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Nga hetimet e para dyshohet se ajo i përket një gjimnazisti të vitit të parë të kësaj shkolle.

Rastet e sotme e çojnë në 6, numrin e alarmeve false për bombë gjatë muajit mars në Tiranë.

Top Channel