Si të reduktosh dhimbjet e shpinës

18/03/2015 00:00

Nësë kryeni shumë shpesh disa nga këto aktivitete, si të ngisni makinën gjatë, të shihni televizor apo të kaloni orë të tëra para kompjuterit, të qëndroni gjatë në punë ulur ose në këmbë, të mblidhni vazhdimisht gjëra nga dyshemeja, të mbani çanta që kanë shumë peshë, etj., edhe pse mund t’i bëni pa i menduar, pasojat janë mbi shpinën tuaj!

Dhimbja e mesit është një fenomen shumë i shpeshtë te njeriu. Nga statistikat, llogaritet që 80 për qind e njerëzve kanë një eksperiencë dhimbjeje mesi në jetën e tyre. Një pjesë e mirë e këtyre dhimbjeve, jo në të gjitha rastet, shkaktohen nga sëmundja e hernies diskale.

Hernia diskale ndodh në moshat e mesme, nga mosha 25 deri në moshën 55 vjeç, pasi në këtë periudhë aktiviteti fizik i njeriut është më i zhvilluar. Por a mund të bëhet diçka për të reduktuar dhimbjet e shpinës?

1. Mos qëndroni shumë gjatë para kompjuterit

Përpiquni të bëni pushim dhe ta drejtoni trupin. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që gjatë qëndrimit ulur para kompjuterit ta mbani trupin drejtë, në pozicionin e duhur. Mos e përthyeni tepër trupin në drejtim të tastjerës, qëndroni drejtë, relaksoni supet, dhe mbështeteni trupin në karrige. Këmbët vendosini mbi dysheme.

2. Përmirësoni mënyrën e fjetjes

Mundohuni që të flini të shtrirë në anë dhe në mes të këmbëve vendosni jastëk, për ta mbajtur shtyllën kurrizore në pozicionin e duhur. Nëse flini të shtrirë me kurriz, vendosni jastëk nën gjunjë.

3. Konsultohuni me një terapist të mjekësisë fizike (fizioterapisë)

Me qëllim për të reduktuar dhimbjen e shpinës, konsultohuni me një terapist të mjekësisë fizike. Ai do t’iu shpjegojë sesi duhet të uleni, të qëndroni dhe të lëvizni në mënyrën e duhur, që shtylla kurrizore të marrë pozicionin e duhur dhe të mos shkaktojë dhimbje shtesë. Ai do t’iu rekomandojë ushtrime specifike, të cilat shërbejnë për forcimin e muskujve të shpinës.

Top Channel