Kosovë, tensione ndëretnike në veri të Mitrovicës

18/03/2015 00:00

Banori i veriut të Mitrovicës, Ramadan Istrefi kishte vendosur që të mërkurën të rikthehej në pronën e tij për të ndërtuar shtëpinë e re në lagjen Kroi i Vitakut, 16 vjet pasi ishte përzënë me dhunë nga serbët, por edhe kësaj here është sulmuar nga banorët serbë.

Ai bashkë me Fehmi Aliun me eskavator dolën në mëngjes për të pastruar vendin ku do të nisë ndërtimin e shtëpisë së re, por fqinji i tij serb me emrin Dragoljub, bashkë me disa serbë të tjerë e penguan që të punonte dhe sulmuan shoferin e eskavatorit.

Ndërprerja me dhunë e punimeve në shtëpitë e shqiptarëve i nxiti ata që të bllokonin rrugën në lagje dhe t’i detyronin edhe serbët aty që të ndërprisnin punimet për ndërtesat kolektive.

“Sot në mëngjes kemi ardhur të punojmë në shtëpinë time me eskavator për të rrafshuar themelin e shtëpisë, por një komshi ka ardhur dhe na ka penguar. Kur ka dalë për të na penguar kanë dalë edhe disa komshinj të tjerë duke i ardhur në ndihmë dhe duke i dalë përpara eskavatorit. Ata nuk e kanë lënë objektin të hyjë në oborr, duke hedhur ndaj tij gurë, drunj dhe mjete të tjera të forta, duke dëmtuar atë si dhe drejtuesin e tij. Pasi ata na kanë ndërprerë punën, edhe ne vendosëm që t’ua ndërpresim punën atyre”, tha Istrefi.

Pas tensionimit të gjendjes në këtë lagje shkuan forca të Policisë së Kosovës, të EULEX-it, si dhe ushtarë të KFOR-it. Policia kërkoi nga Ramadan Istrefi dhe banorët tjerë që ta lirojnë rrugën e bllokuar, por Istrefi tha se pa marrë garanci se do t’i lejohet rifillimi i punës në shtëpi nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Nga ana e tyre, autoritetet komunale serbe në veri të Mitrovicës nuk kanë dalë në vendin e ngjarjes për të vendosur nëse do të vazhdojë rindërtimi i shtëpive.

E ndërsa gjendja në Kroin e Vitakut ishte e tensionuar, Fehmi Aliu, shofer i eskavatorit të sulmur nga serbët, është liruar nga spitali i Mitrovicës pasi ka kryer kontrollet mjekësore.

“Në momentin që kemi shkuar atje, pasi kishim bërë gati terrenin për të spostuar mbeturinat, nisën të grumbulloheshin serbët dhe na kërkuan që të ndalonim punimet. Në atë moment nisën edhe sulmet. Unë kam marrë disa lëndime të lehta trupore dhe në kokë”, tha Aliu.

Aliu tha se është i gatshëm sërish që nesër të shkoj të vazhdojë punën, nëse merr urdhër nga eprorët e tij. Incidentin në pjesën veriore të Mitrovicës e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Tensionet ndëretnike në veri të Mitrovicës nuk janë të rralla dhe jo pak herë kanë përfunduar në përplasje fizike dhe me mjete të forta mes banorëve.

Top Channel