Lista Serbe prezanton kërkesat për kthimin në qeveri

18/03/2015 00:00

Zyra për Kosovën që funksionon në kuadër të qeverisë së Serbisë ka mbledhur të mërkurën në një takim të përbashkët në komunën e Graçanicës, në qendër të Kosovës, të gjithë përfaqësuesit serbë të komunave të vendit.

Pas një mbledhjeje të gjatë, zyrtarët serbë kanë dalë me dhjetë kërkesa për institucionet e Kosovës. Si një ndër kërkesat kryesore serbët kanë paraqitur ndërprerjen e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore që ndodhen në komunat me shumicë serbe, si dhe hetim për privatizimet që janë bërë deri tani.

Ata po ashtu kërkojnë mbrojtje të plotë të pronës dhe të drejtave të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, si dhe punësim të serbëve në institucionet publike dhe në komunat ku ata janë pakicë.

Gjithashtu ata kërkojnë regjistrimin e serbëve si një parakusht për sigurimin e buxheteve reale, sipas tyre, për pushtetin lokal në komunat përkatësë. Kërkesat e serbëve të Kosovës morën mbështetje edhe nga ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.

“Kam ardhur për t’ju treguar se ju duhet të bashkoheni, duhet të përcaktoni prioritetet kyçe të politikës suaj. Qeveria e Serbisë përgjegjësinë e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do t’ua lërë asnjëherë serbëve të Kosovës. Ne jemi mbledhur këtu për të dhënë një porosi të fortë se ajo çfarë i është bërë Jabllanoviçit, të cilin ne e kemi zgjedhur me votat tona, nuk mund t’i bëhet asnjë serbi në Kosovë. Për aq kohë sa përfaqësuesit serbë nuk janë së paku 10 për qind nëpër institucione, kjo do të jetë e papranueshme për ne”, deklaroi Gjuriç.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe ministra serbë të qeverisë së Kosovës, të cilët pas shkarkimit të ministrit Aleksandar Jabllanoviç janë duke bojkotuar punën në institucionet kosovare, por jo edhe lukset dhe pagat.

Ministri serb i shkarkuar, Jabllanoviç tha se serbët i kanë kryer detyrimet e veta dhe se tani shpreson që qeveria kosovare të jetë më konstruktive.

“Fatkeqësisht sot ka njerëz që mendojnë që ta pastrojnë Kosovën, por unë jam i sigurt që edhe mes shqiptarëve mund të gjejmë njerëz me të cilët do të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe marrëveshje. Ne detyrat tona i kemi kryer, kemi dalë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, kemi qenë pjesë konstruktive e qeverisë dhe tani presim që kjo qeveri të jetë më konstruktive dhe të realizojë detyrat e veta”, deklaroi Jabllanoviç.

Në takimin e parë të përfaqësuesve serbë të komunave të Kosovës nuk u diskutua mbi kohën se kur Lista Serbe do të ndërpresë bojkotin dhe do të kthehet të jetë pjesë e koalicionit qeverisës së Kosovës.

Top Channel