SHBA, shqetësim për retorikën zgjedhore në Izrael

18/03/2015 00:00

Shtëpia e Bardhë në Uashington është shprehur e shqetësuar për atë që e quajti “retorikë përcarëse” në procesin zgjedhor të mbajtur në Izrael, që përfundoi me fitoren surprizë të partisë së kryeministrit Netanyahu, Likud.

Gjatë fushatës elektorale, zoti Netanyahu deklaroi se nuk do të lejonte krijimin e shtetit të Palestinës nëse do të rizgjidhej.

“Ka qenë politika e Shteteve të Bashkuara për më shumë se 20 vjet që zgjidhja e konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezët të jetë ajo dyshtetërore”, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Ai theksoi se, administrata amerikane mund të rishikojë qasjen e saj ndaj Izraelit për shkak të komenteve të kryeministrit, se e përjashtonte krijimin e një shteti palestinez.

Zëdhënësi shtoi më tej se, presidenti Barack Obama ende nuk e ka uruar zotin Netanyahu për fitoren, por do ta bëjë këtë në ditët në vazhdim, pasi ai të mandatohet për të formuar qeverinë e re.

Netanyahu synon të formojë një koalicion të ri qeverisës brenda dy ose tre javësh, ka njoftuar partia e tij.

Përveç Shteteve të Bashkuara, edhe Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje kryeministrit hebre që të vazhdojë të ndjekë opsionin që ofron zgjidhjen e dy shteteve.

Zëdhënësja e OKB-së, Farhan Haq i bëri thirrje atij që qeveria e re izraelite të negociojë për një zgjidhje paqësore nga e cila do të krijohej një shtet i qëndrueshëm palestinez.

Ndërsa shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini e uroi Netanyahun për fitoren dhe bëri thirrje për rifillimin e procesit të paqes me Palestinën, i cili u ndërpre rreth një vit më parë.

Top Channel