Përvjetori i aneksimit të Krimesë, Putin: Sanksionet na dëmtuan, por do t’ia dalim

18/03/2015 00:00

Në përvjetorin e aneksimit të Krimesë nga Ukraina, presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar dëmin e shkaktuar nga sanksionet e Perëndimit.

Në një fjalim para mbështetësve të tij të mbledhur përpara selisë së Kremlinit, Putin tha se masat e vendosura ndaj shtetit dhe individëve të caktuar nuk ishin fatale, por natyrisht kanë dëmtuar ekonominë.

Duke iu drejtuar rreth 100 mijë rusëve, sipas vlerësimeve të agjencive shtetërore të lajmeve, Putin tha se, “rusët dhe ukrainasit janë një popull”.

Ai fajësoi nacionalizmin ekstrem të verifikuar në revolucionin e shkurtit 2014 në Kiev dhe tha se shpreson që marrëdhëniet me Ukrainën të normalizohen së shpejti.

“Të jeni të sigurt se Rusia do t’i kalojë të gjitha problemet dhe vështirësitë që të tjerët përpiqen t’i vendosin nga jashtë”, tha presidenti rus.

Më herët ai nënshkroi një marrëveshje që çimenton edhe më tej kontrollin e Rusisë ndaj rajonit separatist të Gjeorgjisë, Osetia e Jugut.

Traktati për “aleancë dhe integrim” i firmosur me liderin osetian Leonid Tibilov e çon standardin ushtarak dhe ekonomik të rajonit në të njëjtën linjë me Rusinë.

Ndërkohë, e ardhmja e sanksioneve pritet të diskutohet nga liderët e Bashkimit Evropian këtë javë. Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk do t’i mëshojë mbajtjes në fuqi të sanksioneve deri në implementimin e plotë të armëpushimit në Ukrainë, për të cilin u ra dakord në Minsk të Bjellorusisë.

Një burim nga Brukseli, i cituar nga BBC, tha se, zoti Tusk dëshiron që sanksionet të mbahen deri në fund të vitit, kur pritet që Ukraina të rimarrë kontrollin e kufirit të saj lindor nga rebelët pro-rusë, sipas kushteve të armëpushimit.

Top Channel