Dy piktorë nga Kosova prezantojnë artin e tyre në Berat

18/03/2015 00:00

Galeria “Eduart Lear” i vetmi institucion kulturor në qytetin e UNESKO-s sjell sërish këtë Pranverë risi në artin e pikturës.

Agron Kastrati dhe Agim Bujupi, dy piktorë të rinj nga Kosova kanë hapur siparin e Pranverës me ekspozitën e tyre personale në Berat, e cila ka mbledhur mbrëmë miq të artit. Krejt të ndryshëm në krijmtarinë e tyre, me një mori veprash të krijuara gjatë viteve të fundit, dy artistët u prezantuan për herë të parë për publikun shqiptar me një ekspozitë e cila vjen në qytetin muze.

Lidhjet e hershme që galeria “Edwart Lear” ka me artistët shqiptar në të gjitha trevat ka bërë që piktorët të zgjedhin pikërisht këtë galeri për të prezantuar artin e tyre. Në prezantimin e artistëve, Nezir Ago, drejtori i galerisë së Beratit  tha se stili i piktorëve është krejt i ndryshëm, ku në rastin e Agron Kastratit ai vjen me një krijmtari shumë ekspresive, me shumë dinamizëm nëpërmjet figurës së kalit, ndërsa, Bujupi vjen me një cikël të karakterit të vet në qendër të të cilës është vendosur figura e njeriut.

Në hapje të ekspozitës morën pjesë dhe drejtues së Qendrës Kulturore të Maleshevës, nga ku dy piktorët vijnë.  Agron Kastrati, një prej piktorëve u shpreh se ndihej mjaft i vlerësuar që këtë prezantim të parë për publikun shqiptar e bën nga një qytet i rëndësishëm në art, siç është Berati, galeria e të cilit është ëndërr për çdo artist.

Top Channel