Maqedoni, LSDM: Qeveria tentoi të manipulonte zgjedhjet lokale

18/03/2015 00:00

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë ka publikuar materiale të reja nga afera e përgjimeve, që sipas kësaj partie zbulojnë përpjekjet e pushtetit për të falsifikuar zgjedhjet lokale të vitit 2013 në komunën e Strumicës, që drejtohet nga lideri i opozitës Zoran Zaev.

Deputeti i LSDM-së, Pançe Orçev prezatoi një material audio, ku sipas tij dëgjohet ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska duke kërkuar nga bashkëpartiakët e saj në Strumicë që të mos firmosin proces-verbalet në disa qendra votimi, me qëllim që të përsëriten votimet.

Orçev tha se nga bisedat e përgjuara dëgjohet se si ministri i Transportit Mile Janakievski kërkon nga drejtori i policisë së Strumicës, Marijan Nakovski, të bëjë gati dhe të shpërndajë rreth 300 letërnjoftime, që sipas Orçev do të shërbeninin për të falsifikuar zgjedhjet.

Deputeti opozitar ka publikuar edhe një bisedë ku sipas tij dëgjohet kryeministri Gruevski duke i thënë një gazetari maqedonas se bashkëpunëtorët e tij janë duke biseduar me PDSH-në që të votojë kundër Zaevit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, me qëllim që të përsëriten zgjedhjet në Strumicë.

Sipas opozitës, nga materialet e përgjuara dëgjohet edhe biseda mes midis kryeministrit Gruevski dhe deputetes së VMRO-DPMNE Silvana Boneva, ku kjo e fundit e njofton shefin e qeverisë se bashkëpartiaku i tyre, deputeti Sllave Goshev ka marrë haraç thuajse nga të gjitha bizneset në Strumicë, që sipas saj ka irrituar banorët e kësaj komune.

Menjëherë pas publikimit të këtyre materialeve ka reaguar partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, e cila i ka quajtur të montuara materailet e publikuara nga opozita.

Top Channel