Suedi, të shtëna në një lokal, 2 të vdekur

19/03/2015 00:00

Dy persona janë vrarë dhe të paktën 15 të tjerë janë plagosur nga të shtënat në një restorant në qytetin e Gotenburgut, në jug-perëndim të Suedisë.

Lajmin e ka bërë të ditur policia lokale, e cila ka saktësuar se të shtënat erdhën nga një armë automatike, që dyshohet të jetë kallashnikov.

Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së mërkurës dhe viktimat janë dy të rinj të moshës 20 dhe 25-vjeçare, deklaroi policia lokale.

Zëdhënësja Ulla Brehm është cituar të thotë se, dyshimet e para janë që agresioni i armatosur të ketë në sfond larje hesapesh mes bandave.

Një dëshmitar tha për kanalin televiziv suedez SVT se dy persona u futën në restorant dhe hapën zjarr.

“Nuk pata kohë të mendohesha për atë që po ndodhte. Më pas pash shokun tim që po humbiste gjak. U përpoqa ta ndaloja gjakderdhjen duke vendosur dorën time mbi plagë”, tha dëshmitari, i cili preferoi të mbetej anonim.

Sulmi ndodhi teksa klientët e restorantit po ndiqnin një ndeshje futbolli. Autorët e tij u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që policia izoloi zonën dhe nisi hetimet.

Më 30 janar, një person mbeti i plagosur në sheshin përpara restorantit në fjalë, por ende nuk është e qartë nëse dy rastet janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Aktet e dhunshme me armë nuk janë të rralla në qytetet e mëdha të Suedisë, por të shtënat në vende publike me viktima të shumta po.

Top Channel