Oficerët britanikë, në Ukrainë për trajnimin e ushtrisë vendase

19/03/2015 00:00

Personeli ushtarak britanik ka nisur stërvitjen e anëtarëve të ushtrisë ukrainase që po luftojnë kundër rebelëve pro-rusë.

Sipas raportimeve të BBC, 35 instruktorë po punojnë në qytetin jugor të Mikolaivit, ku pritet të qëndrojnë përreth dy muaj.

Trajnimi do të konsistojë në përgatitjen për betejë, specializimin e taktikave mbrojtëse, metodat mjekësore dhe furnizimin e luftëtarëve të frontit me pajisje jovdekjeprurëse.

Kjo është hera e parë që një vend perëndimor kryen një program afatgjatë trajnimi në Ukrainë që nga nisja e luftimeve kundër separatistëve pro-rusë vitin e kaluar.

Qeveria britanike po furnizon gjithashtu ushtrinë ukrainase me mjete të ndihmës së shpejtë, çanta gjumi dhe aparate për shikimin në orët e natës, si pjesë e angazhimit të saj për të ofruar asistencë.

Grupe të tjera instruktorësh pritet të mbërrijnë në Ukrainë në javët në vazhdim, por megjithatë e gjitha kjo mbetet një lëvizje simbolike që nuk do të vendosë balancën ushtarake në këtë luftë, raporton korrespondenti i BBC.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se kanë në plan të dërgojnë një grup për të stërvitur tre batalione ukrainase.

Mbi 6 mijë persona kanë humbur jetën që nga nisja e luftimeve në Ukrainë prillin e kaluar, sipas vlerësimeve të OKB-së, edhe pse organizata është e bindur se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë.

Një armëpushim hyri në fuqi më 15 shkurt, pas një marrëveshjeje të arritur në Minsk të Bjellorisisë, i cili megjithatë është shoqëruar me bombardime sporadike.

Top Channel