“Albania’s got talent”

19/03/2015 00:00

Leonard Boduri – Sipas deklaratës së fundit të ministrit të Brendshëm
për mediat, publiku u njoftua se që prej shtatorit të vitit të shkuar,
menjëherë pasi qeveria kishte harxhuar të gjithë arsenalin
propagandistik për 300 ditët e suksesit të Rilindjes, me porosi të
Kryeministrit në institucionin e Ministrisë së Brendshme kanë filluar
audicionet për përzgjedhjen e aktorëve në zhanrin e filmave aksion.

 Ministrit Tahiri, i cili kishte luftuar si luan në Lazarat dhe në Dukagjin së bashku me krahun e djathtë Didi (edhe pse ky i fundit fillimisht e ka mohuar dhe e ka pranuar më pas) u është besuar përzgjedhja e talenteve të reja. Talenti i përzgjedhur me pseudonimin kinematografik “Duri nga Fushë-Kruja”, në takimin me ministrin, kishte spikatur për lojën e tij aktoriale. Për më tepër, eksperienca në jetëshkrimin e tij e pasur me ngjarje në botën e krimit, ia ka mbushur totalisht mendjen jurisë për ta përzgjedhur për rolin kryesor për film. Ky është pak a shumë skenari i Rilindjes për akuzat për vrasje e deputetit të dëbuar Tom Doshi ndaj kreut të Parlamentit. Ne duhet të jemi të gjithë të qetë, pasi bëhet fjalë vetëm për një trillim të shëmtuar ndaj kreut të patericës politike të Rilindjes. Pas publikimit të videos nga deputeti rebel Doshi, ditët e fundit makineria propagandistike e rilindjes ka përfshirë në mënyrë të paprecedentë edhe aktorin e Portokallisë, Bes Kallaku, i cili pasditeve, siç duket ka filluar të punojë me kohë të pjesshme si shofer i Spartak Brahos. Përpjekja mjerane ka për synim ridikulizimin e ngjarjes dhe mbështetjen e tezës së Kryeministrit se “fakti nuk ekziston”. Jemi në kohë krize ekonomike dhe dypunësimi i aktorit është i mirëkuptueshëm, por sidoqoftë, makineria propagandistike e Rilindjes është për t’u pasur zili. Edhe vetë Jozef Gëbelsi po të ngrihej nga bota e përtejme, do të ndihej i eklipsuar nga melodia vetëlavdëronjëse dhe trushpëlarëse e ekipit të Rilindjes.

Çudia që nuk zgjati tri ditë

Deklaratat e para të deputetit Doshi u pasuan nga negociata të menjëhershme të treshes sulmonjëse Kokëdhima-Balla-Tahiri. Rilindja bëri të pamundurën për të ndalur rebelimin, por kur bisedimet dështuan në skenë, u shfaq xha Braho me çantën e tij. Këtë herë, misioni kishte barrën e rëndë që të shpëtonte edhe një herë tjetër pa lagur kreun e LSI-së nga dukuria e “manipulimeve” vizuale. Meta, nga ana e tij, ka hedhur pretendimin se Tom Doshi i vetëm përballë fuqisë së ligjit ia ka arritur të pengojë kryerjen e hetimeve dhe zbatimin e procedurave ligjore për gjashtë muaj me radhë. Pjesa që më habit më shumë është se askush nuk ngre dyshimin nëse vërtet Ilir Meta mund të disponojë 600 mijë euro, pavarësisht se është i mbytur me kredi dhe bën jetë të shfrenuar me miqtë kur ka ditëlindjen. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm deklaron se, pasi ka marrë informacionin në bisedë me “aktorin” fitues ndër personat e parë që komunikon të dhënat është edhe emri i kreut të Parlamentit, i cili është i implikuar në ngjarje. Pasi të gjithë kësaj ngjarjeje i është vënë kapaku me termin “fakti nuk ekziston”, sipas PD-së, kreu i Kuvendit thërret dhe njofton për vrasjen e porositur vëllain e deputetit Fufi, duke ia hedhur fajin sigurisht Saliut. Çudia vazhdon më tej me mungesën e koordinimit në deklaratën e parë të Brahos për marrjen në mbrojtje të deputetëve, jeta e të cilëve ishte kërcënuar nga Saliu, ndërkohë që “fakti nuk ekzistonte” dhe faktit që deputetët nuk janë marrë në mbrojtje. Skandali thellohet akoma më tej kur “Toni i Kombinatit” ka mundur të kalojë serbes-serbes nga aeroporti “Nënë Tereza” drejt Gjermanisë në muajin shtator të vitit të shkuar, pa iu ngulur një gjemb në këmbë, edhe pse kishte një hetim policor për ngjarjen e pretenduar nga deputeti Tom Doshi. Xha Braho, i cili ka mbushur ndër vite çantën me shantazhe ndaj Dritan Priftit, Edi Ramës, Sali Berishës dhe dreqit me të birin dhe pasi ka bërë predikimin moral ndaj deputetit Doshi për përdorim të shantazhit ndaj mazhorancës është nisur rastësisht drejt Hanoverit, ku qëndronte “Toni i Kombinatit” se ashtu kishte ca punë të vetat. Qershia mbi tortë ishte publikimi i procesverbalit të policisë në “ABC NEWS”, për përplasjen e deputetit Mark Frroku me punonjësit e policisë mesnatën e datës 1 dhe 2 tetor 2014 në Kamzë, ku policia po tentonte të ndalonte të dyshuarin Bardhok Pllanaj që ndodhej në makinën e deputetit; fakt i cili fillimisht është denoncuar në gazetën “Shqip”. A është i lidhur mosveprimi në flagrancë i policisë me mbajtjen peng të zotit Frroku në çështjen “Doshi”, pavarësisht se del dhe mjafton implikimi i vëllait të tij në ngjarje kriminale aktualisht nën hetim? Nuk e di se çfarë skandali duhet të ndodhë akoma që ministri i Brendshëm të japë dorëheqjen?!

 
Me sytë nga ndërkombëtarët

Politika shqiptare ua ka gjetur kollaj anën edhe ndërkombëtarëve. Ajo nuk është munduar fare që të ndryshojë realitetin me punë, por ka punuar fort për të kontrolluar opinionet e ambasadorëve të akredituar në Tiranë. Kaq të rëndësishëm janë bërë në sytë tanë ndërkombëtarët, saqë kemi filluar t’i trajtojmë si zotat e Olimpit. Disa nëpunës të zakonshëm, sidomos e kam fjalën për ambasadorët e SHBA-së apo të vendeve të rëndësishme europiane shpesh janë ndier në pozicionin e guvernatorit të vendit, duke mos kursyer opinionet personale ndaj politikanëve të kaheve të ndryshëm, herë si qoka personale dhe herë si vërejtje politike. Nga ana tjetër, përpjekja e ndërkombëtarëve për të sjellë vendin në mbroth nuk ka qenë e suksesshme deri më sot. Qeveritarët tanë kanë gati-gati një përkulje natyrale përpara tyre, gjë e cila ua vështirëson ambasadorëve shikimin objektiv të problematikave të vendit. Personalisht e kam parë absurd pretendimin e qytetarëve se përparimi i vendit do të vijë nga përfaqësuesit e komshinjve tanë, qofshin këta edhe amerikanët. A mundet miqtë të dëshirojnë përmirësimin e gjendjes së vendit më shumë se vetë shqiptarët? Ndërkombëtarët gjithsesi dhe ambasada e SHBA-së në veçanti duke njohur forcën dhe autoritetin që kanë mbi publikun dhe klasën politike duhet të ndërhyjnë me forcë për zbardhjen e akuzave të Tom Doshit. Nuk ka asgjë të pazakontë në këtë situatë, nëse përfshihen prokurorë ndërkombëtarë për hetimin e ngjarjes dhe për zbardhjen e tabulateve të Mark Frrokut, Ilir Metës, Sali Berishës dhe personazheve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, pasi ashiqare, institucioni i hetimit është dukshëm në presionin e politikës. Ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë jo se e kanë për detyrë, por sepse nëse ata nuk ndërhyjnë në këtë moment, nesër oligarkia e përzier me krimin e organizuar do të ulet këmbëkryq dhe nuk do të ndalet para asgjëje dhe as para tyre.

 

Top Channel