Balla: Basha mbylli çerdhet që edukatoret të vinin në protestë. Reagon Bashkia

19/03/2015 00:00

Akuza dhe kundërpërgjigje në Parlament mes Taulant Ballës dhe Bashkisë
së Tiranës. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, ka akuzuar nga
foltorja e Kuvendit kryebashkian e Tiranës Basha, se me urdhër të tij ka
mbyllur çerdhet që edukatorët të shkonin në protestën e opozitës.

“Të enjten e kaluar, por edhe sot dua të ndaj me ju shqetësimin e shumë familjeve në Tiranë që sot nuk i çuan fëmijët në çerdhe sepse janë mbyllur, – tha Balla. – Me urdhër të Lulzim Bashës, edukatoret e çerdheve duhet të ishin sot në protestë. Ky ka qenë urdhri i Lulit, identik si urdhrat e Saliut kur ishte në pushtet që çerdhet duhen mbyllur, kopshtet dhe shkollat duhen mbyllur, sepse nuk kemi me çfarë t’i mbushnim sheshet. Ja pse edhe Luli edhe Sali janë njësoj”.

Por ka reaguar menjëherë Bashkia e Tiranës, e cila përmes një njoftimi për shtyp, e ka cilësuar Ballën si një “mashtrues ordiner”. Sipas saj, sot çerdhet kanë funksionuar normalisht.

“Pavarësisht se nuk ia vlen t’i përgjigjesh një mashtruesi ordiner i shpallur me vendim gjykate si Taulant Balla, Bashkia e Tiranës ndjen detyrim të sqarojë opinionin publik, se të gjitha çerdhet sot kanë funksionuar normalisht si çdo ditë tjetër. E kuptojmë pse trembet Edi Rama nga zemërimi i qytetarëve të Tiranës, por ky është problemi i tij, i keq-qeverisjes së tij, pasigurisë dhe varfërisë që ka sjellë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë dhe prandaj përdor megafonin e tij për të gënjyer dhe mashtruar. Ora e llogaridhënies për keqqeverisjen, varfërinë dhe mjerimin ku e kanë zhytur vendin po u vjen, prandaj nuk dinë se ç’ thonë dhe ç’ bëjnë”, – përfundon njoftimi.

Top Channel