Basha në Berlin: Pa ikur Meta, nuk ka hetim të plotë

19/03/2015 00:00

Gjatë vizitës në Berlin, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha
është takuar me nënkryetarët e grupit parlamentar të CDU/CSU Franz Josef
Jung  (CDU),  Hans Peter Friedrich (CSU), me të cilët ka ndarë
shqetësimin për situatën e rëndë ekonomike, të sigurisë dhe, sipas tij,
të depërtimit të elementëve kriminalë, deri në nivelet më të larta të
vendimmarjes në Shqipëri.

“Skandali i fundit ku kryetari i Kuvendit është i akuzuari kryesor nga deputeti i mazhorancës, njeriu më i afërt i kryeministrit Rama, se ka paguar për të vrarë dy deputetë është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në 25 vitet e fundit në Shqipëri. Po kaq e rëndë është tentativa e Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm për ta fshehur këtë ngjarje për gjashtë muaj më radhë. Në vend që t’i drejtohej drejtësisë, ministri i Brendshëm negocionte në zyrat e shtetit me të akuzuarin si ekzekutor i dy deputetëve”, mësohet të ketë deklaruar Basha.

Sipas tij, PD inkurajon hetimin e nisur nga prokuroria për këtë çështje por pa largimin nga posti i kryetarit të Kuvendit i të akuzuarit kryesor si porositës i vrasjes së deputetëve nuk mund të ketë një hetim të plotë dhe të pandikuar, në një kohë kur ka një angazhim të shtuar nga pushteti, për të penguar hetimin dhe për të fshehur të vërtetën.

Basha ka shprehur shqetësimin edhe për ngadalësimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Pjesë e axhendës së takimeve të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Berlin ishte dhe takimi me drejtorin ekzekutiv të Komisionit të Lindjes të Ekonomisë Gjermane, z. Lindner, presidentin e Dhomës së Tregtisë gjermano – shqiptare, z. Hans-Jürgen Müller, me drejtoreshën e projektit të fondacionit gjerman “Bashkërendimi ligjor ndërkombëtar”, për programin Euralius, znj. Nathalie Herbeck dhe me kryetarin e organizatës “Reporterët pa kufi”, z. Christian Mihr.

Top Channel