Nga padronë në mazhordomë. Ndoshta jo tërësisht, por është fakt se tashmë janë vënë në shërbim të të huajve, kryesisht rusëve dhe arabëve që konsiderohen si padronët e rinj të Londrës.

Është ky fati që ka prekur shumë të rinj londinezë nga familje të mira, të asaj shtrese që në të kaluarën përbënin ajkën drejtuese të Mbretërisë së Bashkuar, që ndiqnin klubet ekskluzive të pasanikëve, kishin shtëpi në lagjet Kensington dhe Chelsea dhe vishnin rroba firme.

Por kohët kanë ndryshuar. Në Londër kanë mbërritur fillimisht arabët e më pas rusët, që kanë blerë me çmime astronomike shtëpitë në lagjet më të shtrenjta të kryeqytetit britanik.

Ata janë pasanikët e rinj, të cilëve u shërbejnë pikërisht ata londinezë me mbiemrin me peshë, por me llogaritë bankare të boshatisura e që kanë shitur shtëpitë në qendër për t’u spostuar në periferi.

Ata janë kthyer në mazhordomë të mirëfilltë, për t’u mundësuar “padronëve” të rinj eksperiencën më të mirë londineze.

“Arabët dhe rusët janë të vetmit që kanë para në ditët e sotme dhe ne i ndihmojmë që t’i shpenzojnë ato duke i bërë të jetojnë si princër”, tregon Harri Becker, një prej shërbyesve të shumtë.

Top Channel