Ndërkombëtarët: Serbët të kthehen në institucione

19/03/2015 00:00

Drejtuesit e organizatës Grupi për Ballkanin vlerësojnë se vonesat në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mund të shkaktojnë incidente të reja ndëretnike.

Gjatë publikimit të raportit të fundit për zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, udhëheqësit e projektit, Marko Prelec dhe Naim Rashiti theksuan se integrimi i serbëve nga strukturat ilegale në institucionet e Kosovës po ngjall emocione dhe keqkuptime, të cilat mund të prodhojnë reagime të dhunshme.

“Ajo që po trajtojmë në të vërtetë këtu ka të bëjë me ecjen përpara nga kjo gjendje ku jemi sot, ku ende kemi dy sisteme që funksionojnë, atë të Serbisë dhe Kosovës. Qëllimi duhet të jetë që të kalohet vetëm në një sistem, atë të shtetit të Kosovës”, deklaroi Prelec.

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë me këtë rast ka ftuar përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës që të kthehen në institucionet kosovare.

“Interesi i komunitetit serb nuk mund të mbrohet duke i bojkotuar institucionet e Kosovës. Vetëm duke u përfshirë dhe duke punuar brenda institucioneve dhe në pajtim me Kushtetutën dhe kornizën ligjore të këtij vendi, mund të mbrohen interesat e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera. Dhe korniza ligjore u jep mundësi të shumta ligjore”, tha Jan Braathu.

Ndërsa ambasadorja e Zvicrës i ka ftuar liderët politikë shqiptarë dhe serbë të punojnë për të fituar mirëbesim të komuniteteve.

“Ne po e shohim sesa e vështirë është që të ndërtohet besimi dhe sa e lehtë është që të shkatërrohet ky besim kur politikanët, si ata shqiptarë apo serbë, bëjnë deklarata provokuese”, tha Krystyna Marty Lang.

Ndonëse në këtë prezantim për debat ishin të ftuar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviç nga Lista Serbe, ata nuk kanë marrë pjesë.

Top Channel