Përmbyllet korridori jugor i gazit. Dritë jeshile segmentit Turqi-Greqi, TANAP

19/03/2015 00:00

Një nga projektet strategjike më të rëndësishme, por edhe të shumëpritura për Bashkimin Europian, ka nisur më në fund të realizohet.

Bëhet fjalë për korridorin jugor të gazit, një projekt gjigant me tre gazsjellës, që nis në Kaspik dhe përfundon në brigjet e Italisë, duke kaluar edhe përmes Shqipërisë.

Rrjeti fillon me nyjen ekzistuese të Kaukazit Jugor, që nis në Azerbajxhan dhe përfundon në kufirin turko-gjeorgjian. Por, prej vitesh projekti kishte ngecur në këtë stad. Një ditë më parë, pas 15 vitesh lobimi të fortë të BE-së, në Turqi nisën punimet për segmentin qëndror të rrjetit, gazsjellësin transanatolian, i njohur ndryshe si TANAP.

Ky segment transporton gazin azer nga kufiri lindor i Turqisë në atë perëndimor, aty ku ajo kufizohet me Greqinë. Ndërsa nyja e fundit e projektit maratonë është gazjellësi Trans-Adriatik, i cili nis në Greqi, aty ku përfundon TANAP, dhe pasi kalon përmes Shqipërisë përfundon në brigjet italiane.

Mbi 3500 kilometra tubacion, 11 vende të përfshira dhe më shumë se 45 miliardë dollarë investime, korridori jugor i përbërë nga tre gazsjellësat është cilësuar nga “British Petroleum” si projekti më ambicioz i energjisë, që është ndërmarrë ndonjëherë.

Bashkimi Europian pati lobuar fort për realizimin e projektit, i cili furnizon tregjet europiane me gaz, jashtë ndikimit rus. Sasitë e para të gazit në Turqi priten të dorëzohen në vitin 2018, ndërsa një vit më vonë përmes gazsjellësit Tapato do të mbërrijnë në tregjet europiane, me një sasi prej mesatarisht 10 miliardë metër kub në vit.

Mediat e huaja, por edhe agjencitë e specializuara e cilësuan fillimin e punimeve të gazsjellësit Transanatolian si një ngjarje historike, që ndryshon jo vetëm hartën energjetike në gjithë këtë pjesë të globit, por edhe balancat gjeopolitike. Zhvillime këto, në të cilat edhe Shqipëria do të ketë aksionet dhe përfitimet e saj.

Top Channel