Menaxhimi i mbetjeve urbane, Koka kërkon ndihmë nga homologu italian

19/03/2015 00:00

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka i ka kërkuar homologut të tij italian mbështetjen për të nxitur biznesin italian të investojë në fushën e agroturizmit dhe të mbetjeve në Shqipëri.

Ministri Koka zhvilloi një vizitë pune në Romë, me ftesë të Ministrisë së Mjedisit dhe Mbrojtjes së Territorit e Detit të Italisë.

Dy ministrat diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit konkret dhe të mëtejshëm midis dy vendeve tona në fushën e mjedisit.

“Ndodhemi përballë disa sfidave relativisht të vështira, ndaj ekspertiza e Ministrisë italiane të Mjedisit do të jetë shumë e vyer për Ministrinë tonë të Mjedisit, gjithashtu edhe për shtetin shqiptar. Besoj në një bashkëpunim të frytshëm. Bashkëpunëtorët e afërt të ministrit Galletti, tashmë shkëmbyen mendime për të gjitha sferat e Ministrisë së Mjedisit, për menaxhimin e mbetjeve, të problemit të pyjeve etj. Ndaj besoj se shumë shpejt do të kemi nisma konkrete për menaxhimin e mjedisit në territorin shqiptar”, tha ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Ministri Galletti deklaroi se Italia do ofrojë eksperiencën në ndihmë të Shqipërisë, në fushën e menaxhimit të mbetjeve, dhe gjithashtu ekspertizën për negociatat e Shqipërisë me BE-në.

Top Channel