Akses emigrantëve në shëndetësi. Mund të jenë edhe bartës sëmundjesh infektive

19/03/2015 00:00

Për herë të parë, ekspertë të shëndetësisë dhe rendit nga vende si Italia, Kroacia, Greqia dhe vende të tjera të rajonit, kanë diskutuar për të siguruar akses në shëndetësi për emigrantët në vendet pritëse.

Vendi ynë, gjatë kësaj periudhe, ka shërbyer më tepër si vend tranzit për emigrantë të huaj nga Siria, të cilët hyjnë nëpërmjet Greqisë në drejtim të vendeve të tjera të Europës.

“Ministria e Punëve të Brendshme ofron shërbim shëndetësor për personat, të cilët akomodohen në Qendrën Kombëtare Pritëse të Refugjatëve, ashtu sikurse dhe në Qendrën për Emigrantët e Parregullt, të dyja nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Pra është shumë e rëndësishme që këto dy qendra të ofrojnë standarde për sa i përket kujdesit shëndetësor, nga ana tjetër edhe për të mësuar nga përvojat më të mira për protokolle të standardizuara, nga vendet e rajonit”, tha Elona Gjebrea, zv.ministre e Brendshme.

“Politika më të qarta, programe më të përshtatshme dhe të përshtatura për target grupin. Do të ndikojë natyrisht edhe në nivele më të larta të marrëdhënieve bilaterale me vendet europiane. Ka ende persona që janë pa dokumente, të cilët kanë barriera për t’u aksesuar në shërbimet shëndetësore, për të cilat jemi mbledhur këtu për të diskutuar në lidhje me strategjitë dhe ndërhyrjet që do të bëjmë”, tha Klodian Rjepaj, zv.ministër i Shëndetësisë.

Emigrantët, si ata që kërkojnë azil, apo ata që akomodohen në qendra pritëse në proces verifikimi, kanë të drejtë të kenë akses në shëndetësi. Kjo, sepse ata mund të shërbejnë edhe si bartës të sëmundjeve infektive nga njëri vend në tjetrin.

“Këta emigrantë vijnë nga vende të ndryshme dhe, jo sepse të gjithë emigrantët janë të sëmurë, po natyrisht nga vendet prej të cilave ata vijnë, ka edhe probleme të tjera që lidhen me sëmundjet infektive dhe vaksinimin. Ndaj është e nevojshme që të ndërhyhet menjëherë për të mbrojtur shëndetin e tyre, por natyrisht edhe shëndetin e popullatës tjetër në përgjithësi. E drejta për shëndet është një e drejtë themelore, e cila duhet respektuar”, tha Silva Bino, eksperte e sëmundjeve infektive.

Ekspertë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe vendeve të rajonit do të dalin me rekomandime dhe protokolle shëndetësore të standardizuara, që do të përdoren për emigrantët në të gjitha vendet e rajonit.

Top Channel