Përmbytjet në juglindje, fermerët kërkojnë dëmshpërblim

19/03/2015 00:00

Pasi edhe këtë dimër nuk mundën t’u shpëtonin përmbytjeve, dhjetëra fermerë të fushës së Korçës kanë ngritur zërin për të kërkuar dëmshpërblim nga shteti.

Qindra hektarë tokë bujqësore, të kultivuara me grurë, misër, patate dhe kultura të tjera nga këta fermerë shkuan dëm, si pasojë e lagështirës së krijuar nga ujërat që vërshuan në fusha, duke i bërë ato joproduktive, ndërsa askush nuk ka kthyer sytë nga këta fermerë.

Pasi kanë mbijetuar për vite me radhë me vështirësi, fermerët këtë vit janë dorëzuar, duke kërkuar që shteti të kthejë sytë nga ata dhe t’u shmangë falimentin.

Dhjetëra fermerë nga komuna Vreshtas, por edhe fshatra të tjerë, kanë protestuar në aksin nacional Korçë-Pogradec dhe kanë kërkuar që të dëmshpërblehen, ndërsa kanë kërcënuar se do të vijojnë protestat deri në bllokimin e rrugës nacionale.

Këtë vit, në rajonin juglindor u përmbytën qindra hektarë tokë, të mbjella kryesisht me të lashta, si pasojë e reshjeve të shumta dhe dëmtimit të kanaleve kulluese.

Top Channel