Kosovë, 7 zyrtarë të arrestuar për disa vepra penale

19/03/2015 00:00

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar 7 zyrtarë, në një operacion të kryer më 17 dhe 18 mars.

Mes të arrestuarve është Fadil Rexhepi, drejtor për Migrimin dhe të Huajt në Policinë Kufitare; dy pjesëtarë të FSK-së, një sekretar i shkollës së mesme teknike profesionale, si dhe një profesor i shkollës së mesme në Drenas.

Këta zyrtarë janë arrestuar me dyshimin se kanë kryer veprat penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare”, “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit”, “dhënie e ryshfetit”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “moslajmërim i veprave penale apo autorëve të tyre” dhe “dhënie e ndihmës autorëve pas kryerjes së veprave penale”.

Operacioni i koduar me emrin “Sinjali” është kryer në bashkëpunim me Drejtorinë për hetimin e trafikimit dhe qenieve njerëzore të Policisë së Kosovës, teksa Inspektorati Policor ka filluar hetimet për këtë rast nga shtatori i vitit 2013.

Ky plan operativ është zbatuar sipas urdhëresave të lëshuara nga Gjykata Themelore në Ferizaj, dhe kanë marrë pjesë edhe njësi të specializuara të Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.

Top Channel