“Lista Serbe”, ende pa një vendim final. Qeveria kosovare në pritje

19/03/2015 00:00

Qeveria e Kosovës është në pritje të vendimit final të “Listës Serbe” për t’u kthyer në institucione, ndërsa besojnë se kjo mund të ndodhë javën e ardhshme.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj tha përmes telefonit për Top Channel se, janë në bisedime intensive me përfaqësuesit e “Listës Serbe”, por ende nuk kanë një konfirmim zyrtar se kur do të kthehen në institucione.

Gecaj tha se, në bazë të bisedave, kanë shpresë që partnerët serbë të koalicionit qeverisës të vendosin të kthehen në institucione javën e ardhshme.

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, që është edhe zyrtari më i lartë i qeverisë, që po negocion kthimin e serbëve, tha se zyrtarët e “Listës Serbe” deri tani nuk kanë paraqitur ndonjë kusht për kthim në institucione.

Ai tha se Qeveria e Kosovës është në pritje të nominimit të ministrit të ri serb, për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, por deri tani serbët nuk e kanë përzgjedhur atë.

Për sa kohë që Prishtina zyrtare po negocion me “Listën Serbe” për kthimin e tyre në institucionet kosovare, krerët e kësaj liste kanë thënë një ditë më parë se për vendimet e tyre do të vendosin bashkë me qeverinë serbe në Beograd.

Top Channel